Studenti Orion Çela, i ftuar në emisionin “News24 Fundjavë” me Megi Latifin, deklaroi se protesta e studentëve vijon prej 161 ditësh, ndërsa problematikat ekonomike dhe kushtet e vështira të jetesës mbeten ndër arsyet kryesore të revoltës së tyre. Ai përmendi qiratë e larta, kushtet jo të mira në konvikte dhe detyrimin për të punuar për të përballuar shpenzimet, çka sipas tij i pengon studentët të përqendrohen te studimet.
“Unë kam punuar dhe studiuar që nga dita e parë”, tha Çela, duke shtuar se edhe prindërit janë të shqetësuar për shkak të dhunës policore, por kjo nuk i ka ndalur të rinjtë të vijojnë protestën.
Ai e cilësoi të papranueshme dhunën e policisë, duke pretenduar se më të dhunshëm janë kryesisht efektivët e rinj në moshë, ndërsa ata të një moshe më të madhe janë tërhequr më shumë. “Kjo është për të ardhur keq, sepse jemi të rinj dhe jemi ne ata që do ta gëzojmë Shqipërinë”, u shpreh studenti.
Çela theksoi se protesta kërkon këmbëngulje dhe nuk mund të pritet që të sjellë ndryshime brenda pak ditësh. “Ky nuk është sprint, është maratonë. Nuk mund të dalim dy ditë dhe të shpresojmë se Rama do të rrëzohet”, deklaroi ai.
Studenti bëri të ditur se të rinjtë po vetëorganizohen dhe se vendimet merren bashkërisht, pa pasur një kryesi që drejton protestën. Ai njoftoi gjithashtu se më 28 nëntor pritet të mbahet një protestë masive, ku shpresohet të ketë edhe pjesëmarrje nga diaspora.
Sa i përket kërkesave për dialog, Çela i cilësoi ato si shprehje të dëshpërimit të kryeministrit Rama. Sipas tij, dialogu nuk mund të vijë nga ata që i janë bashkuar protestës vetëm për një ditë. Ai paralajmëroi se Rama mund të përpiqet të përfshijë në skemat e tij politike edhe të rinj e studentë të angazhuar në Partinë Socialiste.
“Kërkesa për dialog, shenjëdëshpërimi nga Rama. Dialogu nuk vjen nga ata që kanë protestues sikur thuajse një ditë. Mund të vijojë nga skemat e politikës dhe Ramës që mund të fusë edhe të rinj e studentë që janë të angazhuar në PS, çfarë nuk pret nga ky kryeministër. Nga Rama nuk duam zgjidhje, për 13 vite nuk na ka zgjidhur gjë, nga Rama duam vetëm të ikë dhe qeveria që do të vijë të vijojë punën”, u shpreh studenti.
