SPAK ka përfunduar hetimet për një prej organizatave më të mëdha ndërkombëtare të trafikimit të kokainës, me aktivitet në Amerikën e Jugut dhe në disa vende të Europës.
Sipas SPAK, organizata ka trafikuar të paktën 60.7 tonë kokainë gjatë viteve 2019–2021. Në mesin e 16 të pandehurve janë Ervis Çela, Franc Çopja, dhe Fadil Balla.
Sipas hetimeve, organizata kishte një strukturë vertikale dhe lidhje të konsoliduara me grupe kriminale në Paraguaj dhe Brazil. Aktiviteti i saj shtrihej në Gjermani, Spanjë, Belgjikë, Holandë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Itali.
Ervis Çela dhe Franc Çopja drejtuesit e dyshuar të organizatës
Nga analiza e komunikimeve në platformat e enkriptuara SkyECC dhe EncroChat, si dhe provave të tjera të mbledhura përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, SPAK dyshon se Ervis Çela dhe Franc Gergely kanë ushtruar funksione bashkëdrejtuese në organizatën kriminale.
Sipas prokurorisë, Ervis Çela kishte rol qendror në sigurimin e kokainës në vendet e origjinës, kryesisht në Amerikën Latine. Ai dyshohet se merrej me kontaktet me furnizuesit, financimin e blerjes së drogës, përcaktimin e cilësisë dhe çmimeve, si dhe organizimin e transportit drejt Paraguajit.
Ndërsa Franc Gergely dyshohet se koordinonte financimin e ngarkesave, transportin ndërkombëtar, nxjerrjen e kokainës nga portet europiane dhe shpërndarjen e saj në tregjet e Europës.
Në nivelin e parë drejtues të organizatës, SPAK përfshin edhe Fadil Ballën, i cili, sipas hetimeve, vepronte kryesisht në bashkëpunim me Ervis Çelën dhe persona të tjerë.
Në nivelin e dytë drejtues përmenden Petrit Lakatos, i njohur edhe si Petrit Sulejmani, dhe Maringlen Mullaj. I pari dyshohet se kishte rol në nxjerrjen e ngarkesave nga porti i Anversës në Belgjikë, magazinimin dhe shpërndarjen me shumicë në Holandë, ndërsa Mullaj dyshohet se koordinonte aktivitetin operacional.
16 të pandehurit dhe akuzat
SPAK ka dërguar për gjykim 16 persona, me akuza që përfshijnë trafikimin e narkotikëve, organizimin dhe pjesëmarrjen në organizatë kriminale, pastrimin e parave dhe ndërtimin e paligjshëm. Mes të pandehurve janë: Ervis Çela, Franc Gergely, Fadil Balla, Riza Çela, Ardjan Çela, Maringlen Mullaj, Petrit Lakatos, Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami dhe Soni Pepa – të akuzuar për trafikim narkotikësh në kuadër të organizatës kriminale, pastrim parash dhe vepra të tjera të lidhura me organizimin kriminal.
Albin Çela, Elidon Çela dhe Denis Daja – të akuzuar për pastrim parash dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Ditjon Pepa dhe Kujtim Gjyla – të akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale, në bashkëpunim.
Riza Çela dhe Albin Çela janë marrë gjithashtu të pandehur për ndërtim të paligjshëm, të kryer në bashkëpunim për qëllime fitimi.
60.7 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës
Sipas SPAK, organizata ka organizuar dhe realizuar trafikimin e të paktën 60.7 tonëve kokainë gjatë periudhës 2019–2021.
Lënda narkotike sigurohej në vendet e Amerikës së Jugut, veçanërisht në Bolivi, dhe transportohej drejt Paraguajit, ku magazinohej dhe përgatitej për eksport.
Hetimet kanë zbuluar se kokaina fshihej në ngarkesa me produkte të ligjshme industriale, si stuko patinimi, bojëra dhe materiale të tjera. Për këtë qëllim dyshohet se përdoreshin shoqëri tregtare në Paraguaj, përmes të cilave krijohej mbulesa për transportin ndërkombëtar të ngarkesave.
Sipas të dhënave të administruara, transporti realizohej fillimisht përmes korridorit lumor Paraguaj–Paraná, drejt portit të Buenos Aires në Argjentinë, dhe më pas me anije transoqeanike drejt porteve europiane.
Ndër destinacionet kryesore të identifikuara janë Hamburgu në Gjermani, Anversa në Belgjikë, Barcelona në Spanjë dhe Roterdami në Holandë.
Një nga elementet e evidentuara nga hetimi është edhe ndryshimi i destinacionit të kontejnerëve gjatë lundrimit, me qëllim orientimin e tyre drejt porteve ku dyshohej se ishin krijuar kushtet për nxjerrjen e kokainës.
SPAK evidenton gjithashtu dyshime për kontakte të Franc Gergelyt me persona të lidhur me strukturat doganore dhe të sigurisë portuale në Anversa, të cilët mundësonin informacion dhe lehtësi për nxjerrjen e ngarkesave.
Pesë sekuestrime, mes tyre 17 tonë kokainë në Hamburg
Në kuadër të hetimit janë identifikuar disa episode konkrete të sekuestrimit të sasive të mëdha të kokainës, të cilat SPAK i lidh me aktivitetin e organizatës.
–Dhjetor 2019, Roterdam, Holandë: rreth 255 kilogramë kokainë.
–Prill 2020, Barcelona, Spanjë: rreth 495 kilogramë kokainë.
–Maj 2020, Roterdam, Holandë: rreth 300 kilogramë kokainë.
–Nëntor 2020, Holandë: rreth 600 kilogramë kokainë.
–Shkurt 2021, Hamburg, Gjermani: rreth 17 tonë kokainë.
Sipas përllogaritjes së prokurorisë, pesë episodet dokumentojnë sekuestrimin e rreth 18.650 kilogramëve kokainë, ndërsa sasia totale e trafikuar nga organizata vlerësohet në të paktën 60.7 tonë.
Hawala dhe token, mekanizmat e transferimit të parave
Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit lidhet me mënyrën e qarkullimit të parave të përfituara nga trafikimi i kokainës.
Sipas SPAK, organizata përdorte mekanizma informalë të transferimit të vlerave monetare, përfshirë sistemin Hawala dhe kode identifikuese të njohura si token.
Përmes këtyre mekanizmave, shumat monetare transferoheshin ndërmjet vendeve të ndryshme pa përdorur domosdoshmërisht transfertat bankare tradicionale. Në komunikimet e analizuara përmenden si pika të këtij rrjeti Paraguaji, Bolivia, Brazili, Shqipëria, Turqia dhe Dubai.
Prokuroria dyshon se përfitimet financiare nga aktiviteti kriminal arrinin vlera jashtëzakonisht të larta, potencialisht deri në miliarda euro, çka e ka bërë gjurmimin e pasurive dhe investimeve një nga drejtimet kryesore të hetimit.
Pasuritë e sekuestruara, nga resortet te kompanitë dhe vilat luksoze
– Solis Farm, në Mumajes, Baldushk, Tiranë, përfshirë 100% të kuotave të shoqërisë, pronat, godinën e restorantit dhe pajisjet e saj.
– Një llogari bankare në emër të shtetases D.Gj., me gjendje 71.268,44 euro.
-Pasuri të paluajtshme në zonën e Sharrës, Tiranë, në emër të Albin Çelës dhe në bashkëpronësi, si dhe një vilë e porositur pranë shoqërisë “NG STRUCTURES”.
-Interesa ekonomikë në shoqërinë “Giam Konstruksion”.
-Një sipërfaqe toke prej 5.900 metrash katrorë në emër të Riza Çelës.
Në emër të Fadil Ballës janë sekuestruar gjithashtu pasuri me vlerë të konsiderueshme, mes tyre resorti Ajman Park, në Xhafzotaj të Durrësit, dhe një vilë në kompleksin turistik “Ionian Olea”, në Dhërmi.
Sipas aktit të ekspertimit, investimi në resortin Ajman Park vlerësohet në 463.126.800 lekë, ndërsa vila në Dhërmi ka një vlerë tregu prej rreth 1 milion euro.
Në kuadër të hetimit janë sekuestruar edhe 100% e kuotave të shoqërisë “Check Company” sh.p.k., si dhe 25 automjete në pronësi të saj, me vlerë të përllogaritur rreth 69.9 milionë lekë.
Nga hetimet financiare rezulton se Albin Çela dhe Riza Çela kanë investuar mbi 50 milionë lekë për blerjen e tokave, ndërsa kostoja e ndërtimit të katër objekteve mbi këto sipërfaqe vlerësohet në më shumë se 1.2 milionë euro.
Vlera totale e pasurive të sekuestruara është rreth 9 milionë e 181 mijë euro, sipas përllogaritjes së SPAK. Në këtë vlerë përfshihen edhe 130 mijë euro cash, automjete dhe sende të tjera me vlerë.












