Inter-Como nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat. Vetëm dy pikë i ndajnë në renditje dy skuadrat, që vijnë pas fitoreve në Champions League. Përballja mes Chivu dhe Fabregas mund të japë sinjale të rëndësishme për garën e titullit.
Como synon të tregojë se është gati të luftojë konkretisht për titullin, por edhe të thyejë një statistikë negative: 5 humbje në 6 përballjet e fundit me Interin që nga rikthimi në Serie A. Nga ana tjetër, zikaltërit kërkojnë të lënë pas humbjen në derbi dhe t’i dërgojnë një mesazh të fortë kampionatit.
Në aspektin taktik, Como mund të zgjedhë një qasje më të kujdesshme, duke ulur vijën e mbrojtjes dhe pritur momentin e duhur për të goditur. Interi pritet të kërkojë iniciativën që në fillim, duke shfrytëzuar forcën e mesfushës dhe depërtimet nga krahët.
Për Comon është një tjetër provë pjekurie, ndërsa për Interin mundësi për të konfirmuar ambiciet. Ndeshja mund të ndihmojë në kuptimin më të qartë të hierarkive në garën për titull në Serie A.







