SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 16 persona, të dyshuar si pjesë e një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare, që dyshohet se trafikoi të paktën 60.7 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës gjatë viteve 2019-2021. Në qendër të hetimit janë Franc Gergely, i njohur si Franc Çopja, dhe Ervis Çela, të cilët sipas Prokurorisë së Posaçme kishin funksione bashkëdrejtuese në këtë organizatë.
Sipas SPAK, nga hetimet e kryera përmes komunikimeve të enkriptuara në platformat SkyECC dhe EncroChat, si dhe provave të siguruara në bashkëpunim me autoritetet e huaja, është dokumentuar një rrjet kriminal që organizonte furnizimin me kokainë në Amerikën e Jugut, transportimin e saj drejt Europës dhe shpërndarjen në disa vende të Bashkimit Europian.
Organizata dyshohet se kishte lidhje me grupe kriminale në Paraguaj dhe Brazil, ndërsa kokaina sigurohej kryesisht në Bolivi dhe transportohej drejt Paraguajit, ku magazinohej dhe përgatitej për eksport. Për të kamufluar drogën, ajo fshihej në ngarkesa me produkte të ligjshme industriale, si stuko patinimi dhe bojëra, dhe transportohej me kontejnerë drejt porteve europiane.
Sipas hetimeve, rrjeti kishte shtrirje në Gjermani, Spanjë, Belgjikë, Holandë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Itali. Në pesë episode të identifikuara nga autoritetet janë sekuestruar mbi 18 tonë kokainë, përfshirë rreth 17 tonë në Hamburg të Gjermanisë në shkurt të vitit 2021.
SPAK ka identifikuar edhe rolet e personave kryesorë në organizatë. Ervis Çela dyshohet se merrej me sigurimin dhe financimin e kokainës në vendet e origjinës, si dhe organizimin e transportit të saj drejt Paraguajit. Ndërsa Franc Gergely kishte përgjegjësi në financimin e fazave të mëtejshme, transportin ndërkombëtar, nxjerrjen e ngarkesave nga portet europiane dhe shpërndarjen e drogës në tregjet e Europës.
Në nivelin drejtues të organizatës, sipas Prokurorisë, përfshihej edhe Fadil Balla, ndërsa Petrit Lakatos dhe Maringlen Mullaj kishin role në koordinimin e aktivitetit operacional, magazinimin, shpërndarjen dhe administrimin e të ardhurave.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu përdorimin e mekanizmave informalë për transferimin e parave, përfshirë sistemin “Hawala” dhe kodet identifikuese “token”, përmes të cilave realizoheshin dhe verifikoheshin pagesat mes vendeve të ndryshme.
Në kuadër të këtij procedimi penal, SPAK ka kërkuar gjykimin e 16 personave: Franc Çopja, Ervis Çela, Fadil Balla, Riza Çela, Ardjan Çela, Maringlen Mullaj, Petrit Lakatos, Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami, Soni Pepa, Albin Çela, Elidon Çela, Denis Daja, Ditjon Pepa dhe Kujtim Gjyla. Ata akuzohen, në varësi të rolit të dyshuar, për trafikim narkotikësh, pastrim parash, organizatë kriminale dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale.
Paralelisht me hetimet për trafikun e drogës, Prokuroria e Posaçme ka gjurmuar edhe pasuritë që dyshohet se kanë burim këtë aktivitet kriminal. Vlera totale e pasurive dhe shumave monetare të sekuestruara arrin në rreth 9.18 milionë euro.
Mes pasurive të sekuestruara janë resorti “Ajman Park” në Xhafzotaj të Durrësit, me një vlerë investimi prej rreth 463 milionë lekësh, një vilë në kompleksin turistik “Ionian Olea” në Dhërmi, e vlerësuar rreth 1 milion euro, si dhe toka, kapanone industriale, ndërtesa tregtare, llogari bankare dhe kuota në shoqëri të ndryshme.
Në kuadër të hetimit janë sekuestruar gjithashtu 130 mijë euro cash, 25 automjete në pronësi të një shoqërie tregtare dhe pasuri të tjera të luajtshme e të paluajtshme.
SPAK bëri të ditur se hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe autoritetet e disa shteteve, përfshirë Holandën, Gjermaninë, Francën, Spanjën, Italinë, Paraguajin, Ekuadorin dhe Brazilin. Ndërkohë, hetimet vijojnë në një procedim të veçuar për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe gjurmimin e pasurive që mund të lidhen me aktivitetin kriminal.

