Policia e Shkodrës ka sekuestruar rreth 77 kilogramë kanabis dhe një arsenal municionesh e pajisjesh gjatë operacionit antidrogë të koduar “Polinomi 2”.
Në pranga kanë rënë dy vëllezër, Gjovalin Sheja, 49 vjeç, dhe Kujtim Sheja, 57 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim Kristjan Sheja, 24 vjeç, djali i këtij të fundit.
Operacioni u finalizua pas katër muajsh hetimesh në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, në vijim të operacionit të mëparshëm “Polinomi”. Sipas Policisë, tre personat dyshohet se janë pjesë e grupit kriminal të goditur pak ditë më parë.
Gjatë kontrollit në banesën e 49-vjeçarit, në fshatin Abat, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 10 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Ndërsa në banesën e 57-vjeçarit, në Grudë të Re, u sekuestruan rreth 66.8 kilogramë kanabis, të ndara në thasë.
Përveç lëndës narkotike, në banesën e këtij të fundit u gjetën një pistoletë me krehër dhe fishekë, një pushkë pneumatike, municione për armë zjarri dhe armë gjahu, aksesorë armësh, një shkop metalik, dy radio marrëse-dhënëse, një peshore elektronike dhe tri pajisje optike, mes tyre dy kamera dhe një monokular.
Policia bën të ditur se vijon puna për kapjen e 24-vjeçarit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal. Hetimet janë kryer nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë.