Trump paralajmëron ndryshime të tjera në kabinet pas largimit të Susie Wiles: Ndoshta do të ketë disa ndryshime

Trump paralajmëron ndryshime të tjera në kabinet pas largimit të Susie Wiles: Ndoshta do të ketë disa ndryshime

10:31, 07/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti Donald Trump ka lënë të kuptohet se Susie Wiles, ish-shefja e kabinetit të tij, nuk do të jetë e vetmja zyrtare e lartë e administratës që do të largohet nga detyra pas rezultatit të dobët të republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit.

Në një intervistë për emisionin “60 Minutes”, të regjistruar vetëm pak orë përpara se Wiles të shkarkohej, kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi ndryshime të mundshme në kabinetin qeveritar.

“Po”, u përgjigj Trump gazetarit Ross Douthat, kur u pyet nëse kishte në plan të largonte ndonjë prej anëtarëve të ekipit të tij pas humbjes së shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, sipas një fragmenti të intervistës të publikuar të premten në mbrëmje.

“Deri diku. E dua kabinetin tim. Mendoj se janë të mirë, por ndoshta do të bëj disa ndryshime.

Nuk dua të përmend emra”, shtoi Trump.

Intervista, e cila do të transmetohet e plotë të dielën, u regjistrua të premten në mëngjes.

Por, pasditen e së njëjtës ditë, Trump njoftoi përmes rrjetit të tij social Truth Social se do ta zëvendësonte Wiles me këshilltarin e tij prej shumë vitesh, Stephen Miller, duke filluar nga e hëna.

“Susie Wiles, e cila ka bërë një punë të jashtëzakonshme, do të kalojë në ekipin politik të Trump-it. Dua ta falënderoj për shërbimin e saj si shefe e kabinetit. Ajo ka bërë një punë të shkëlqyer!”, shkroi presidenti.

Gjatë intervistës për “60 Minutes”, Trump u pyet gjithashtu nëse kishte ende besim te sekretari i Luftës, Pete Hegseth, i cili mund të përballet me një votim për shkarkimin e tij në Kongres, kur Dhoma e Përfaqësuesve të rifillojë punimet javën e ardhshme.

“Po. Ne kemi fituar dy luftëra. Kemi fituar në Venezuelë dhe kemi shkatërruar tashmë asete me vlerë miliarda e miliarda dollarë, ndërsa do të shkatërrojmë edhe shumë të tjera... E fituam atë luftë në më pak se një orë.”

I pyetur nëse ia atribuonte Hegsethit suksesin e operacionit në Venezuelë, Trump tha: “Jo, por ai ishte pjesë e tij”.

Ligjvënës nga të dyja kampet politike kanë vënë në pikëpyetje drejtimin dhe gjykimin e shefit të Pentagonit, në prag të votimit të mundshëm për shkarkimin e tij.

Në fillim të kësaj jave, Hegseth përjashtoi mundësinë e largimit vullnetar nga detyra.

“Ashtu si presidenti, ne nuk tërhiqemi. Dhe kjo vlen veçanërisht tani”, deklaroi Hegseth në një videomesazh gati gjashtëminutësh, të publikuar të enjten. / NY Post – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco