Dogji babain me 1.5 litra benzinë, gjykata mbyll në burg edukatoren e Burrelit

Dogji babain me 1.5 litra benzinë, gjykata mbyll në burg edukatoren e Burrelit

09:43, 07/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Elton Qyno Syri.net/

41-vjeçarja Majlinda Mara, që tre ditë më parë dogji babain e saj 89-vjeçar me 1.5 litra benzinë, është mbyllur në burg nga gjykata e Dibrës.

Vendimi është marrë ditën e djeshme, ku punonjësja e një kopshti shtetëror në Burrel, nuk ka dhënë shpjegime para gjykatës mbi motivet që çuan në zjarrvënien e babait të saj.

Kjo ishte hera e dytë që 41-vjeçarja ka tentuar të vrasë babain e moshuar me zjarr, pasi një vit më parë ajo kishte bërë të njëjtën gjë, por rasti nuk ishte denoncuar në policinë e Burrelit.

Gjatë seancës gjyqësore gjykata konstatoi se babai i saj Adem Mara, për shkak të plagëve të shkaktuara nga flakët e zjarrit, ka pësuar dëmtime të rënda në trup, dhe aktualisht është në rrezik për jetën.

Ndaj vajzës së tij, edukatores Majlinda Mara, prokuroria e Dibrës ka ngritur akuzën e “Vrasjes për shkaqe të marrëdhënies familjare” të mbetur në tentativë dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Ndërkohë në dëshminë e saj të dhënë në policinë e Burrelit, Majlinda Mara, e cila punon pranë një kopshti, ka treguar se:

“…unë kam dhomën time të gjumit, babai ka dhomën e tij të gjumit dhe vëllai im me bashkëshorten e tij, kanë dhomën e tyre. Rreth një vit më parë unë kam bërë një operacion pranë syrit të majtë pasi më ka pas dalë një puçërr dhe pas operacionit unë kam pasur debate me babain tim Adem Mara, për gjëra koti pasi ai më bërtet mua pa arsye. Rreth një muaj më parë unë kam pas blerë një shishe benzinë 1.5 litra dhe e kam pas fshehur në një vend të oborrit të banesës. Sot më datë 4 nëntor 2026, rreth orës 06:20 të mëngjesit, unë jam zgjuar nga gjumi, kam marrë një shkrepëse me kunja, kam shkuar dhe kam marrë shishen e benzinës, të cilën e kisha pas fshehur në oborrin e shtëpisë dhe kam hyrë në dhomën e gjumit të babait tim, Adem Mara, i cili ishte duke fjetur dhe kam hedhur benzinë në tapetin e dhomës që ishte i shtruar në mes të dhomës dhe pastaj, kam ndezur një fije shkrepëse, të cilën e kisha në xhep dhe i kam vënë flakën…”.

Më tej Majlinda Mara ka treguar se pas zjarrvënies është larguar dhe dalë jashtë për të shkuar në punë, por e ka ndaluar policia e Burrelit.

“…kur flaka u përhap në të gjithë dhomën dhe kanë marrë flakë rrobat e krevatit të babait tim, unë kam dalë në korridor dhe babai im filloi duke bërtitur dhe aty ka ardhur bashkëshortja e vëllait, Gëzimit, Servetja, dhe ka nxjerrë nga dhoma babain tim Ademin. Pas pak unë dola nga shtëpia për të shkuar në punë dhe sa kam dalë tek porta ka ardhur policia dhe më kanë shoqëruar në Komisariat…” - ka pohuar ajo në polici.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco