Policia e Vlorës konfirmon arrestimin e mësuesit të edukimit fizik, 35 vjeç, i denoncuar nga shtatë nxënëse të shkollës së bashkuar “Hajredin Beqari” për ngacmim seksual.
35-vjeçari është transferuar në ambientet e paraburgimit në Vlorë, ku do të qëndrojë në pritje të seancës gjyqësore, e cila pritet të zhvillohet në ditët në vijim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
Nga shtatë nxënëset që kanë bërë denoncimin, dy prej tyre janë tërhequr, ndërsa pesë të tjerat vijojnë të qëndrojnë në deklarimet e tyre, duke pretenduar se kanë përjetuar situata dhe sjellje me natyrë ngacmuese nga ana e mësuesit.
Sipas informacioneve të konfirmuara nga Policia, gjatë verifikimeve nuk janë evidentuar mesazhe me përmbajtje ngacmuese në telefonin e mësuesit. Megjithatë, pesë nxënëset vijojnë të deklarojnë se janë përballur me fjalë dhe sjellje të papërshtatshme nga ana e tij.
Çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Vlorës, e cila do të vlerësojë provat dhe deklarimet e palëve, si dhe do të marrë dëshmitë e nxënëseve për të hedhur dritë mbi pretendimet e ngritura.
© SYRI.net