SPAK ka zbardhur mënyrën e funksionimit të organizatës kriminale që, sipas hetimeve, drejtohej nga Franc Gergely (Çopja) dhe Ervis Çela, duke dokumentuar një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës.
Nga analizimi i komunikimeve në platformën e enkriptuar SkyECC dhe provave të tjera, hetuesit kanë identifikuar të paktën 16 persona të përfshirë në këtë strukturë, e cila dyshohet se ka ushtruar aktivitet gjatë viteve 2019-2021, në bashkëpunim me grupe kriminale në Paraguaj dhe Brazil.
Sipas SPAK, Çopja dhe Çela kishin funksione bashkëdrejtuese në organizatë, e cila kontrollonte disa hallka të trafikut, nga sigurimi dhe financimi i kokainës në vendet e origjinës, deri te transportimi, magazinimi dhe shpërndarja e saj në tregjet europiane.
Lënda narkotike fshihej në ngarkesa me produkte të ligjshme, të eksportuara nga Paraguaj drejt Europës përmes transportit detar. Në këtë mënyrë, organizata dyshohet se kamuflonte kokainën mes mallrave tregtare për të shmangur kontrollet gjatë transportit.
Rrjeti kishte shtrirje në disa vende europiane, përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Belgjikën, Holandën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë.
Një tjetër element i rëndësishëm i skemës ishte qarkullimi i parave të përfituara nga trafiku. Sipas hetimeve, organizata përdorte sistemin informal të transferimit të vlerave “Hawala”, kode identifikuese të njohura si “token”, si dhe shoqëri tregtare që operonin në import-eksport për të lëvizur dhe administruar fondet mes vendeve të ndryshme.
Komunikimet në SkyECC, të administruara nga data 29 nëntor 2019, përmbajnë biseda në shqip dhe spanjisht për dërgimin, marrjen, sasitë dhe transportin e kokainës. Krahas tyre, janë analizuar edhe fotografi dhe materiale që lidhen me ngarkesat, kompanitë, produktet dhe dokumentacionin tregtar.
Sipas SPAK, provat e mbledhura tregojnë një strukturë të organizuar me ndarje të qartë rolesh, ku personat e përfshirë koordinonin furnizimin me drogë, transportin ndërkombëtar, shpërndarjen dhe transferimin e fitimeve nga aktiviteti kriminal.

