Pse Brukseli e shkëputi Shqipërinë nga Mali i Zi?!
Dështimi që Edi Rama po e fsheh propagandë
Përtej zhurmës shurdhuese të Edi Ramës për Raportin e Progresit të Komisionit Europian, dhe përtej sulmeve standarde, gati nihiliste, të opozitës, kjo histori fsheh një të vërtetë të hidhur për të cilën nuk po flet askush: Europa e ka ndarë Shqipërinë nga Mali i Zi dhe e ka lënë pas.
Në samitin e fundit të krerëve të Bashkimit Europian, Brukseli vendosi të ndajë rrugët e dy vendeve, që deri pak kohë më parë trajtoheshin si pjesë e të njëjtit grup.
Për Podgoricën u vendosën afate të qarta: mbyllja e negociatave në dhjetor të këtij viti dhe përfundimi i traktatit të anëtarësimit gjatë vitit 2027.
Për Tiranën nuk ka asnjë vendim të tillë. Ka vetëm një “perspektivë” që negociatat të mbyllen në vitin 2027, e shoqëruar me një kleçkë diplomatike: “afat tepër ambicioz”. Në gjuhën e Brukselit, kjo do të thotë qartë se afati nuk konsiderohet realist.
Rama, inati dhe fusnota
Sipas burimeve diplomatike, zyrtarët europianë i kërkuan qeverisë shqiptare të pranonte dhjetorin 2028 si afat realist. Rama nuk pranoi. Ai insistoi për vitin 2027, me reagime deri edhe kolerike, të ngjashme me ato që pati në Stamboll për Samitin e NATO-s. Në fund e mori vitin 2027, por bashkë me një fusnotë që e zhvlerëson.
Pra, kryeministri fitoi një datë në letër dhe humbi besimin e Europës.
Berlini tërhoqi fijet
Manovrën e udhëhoqi Gjermania. Berlini mbështeti datat e përcaktuara për Podgoricën, organizimin e dy samiteve të BE-së në Malin e Zi dhe formulën e rezervuar për Tiranën. Edhe mediat gjermane kanë përcjellë sinjale të qarta dyshimi. Deutsche Welle në shqip ka theksuar pengesat, kushtet dhe pasiguritë që rëndojnë mbi vitin 2027.
Rama e ka ditur prej kohësh këtë qëndrim. Si në Tivat, ashtu edhe në Budva, kancelari gjerman Friedrich Merz ia ka përcjellë qartë mesazhin politik. Sipas burimeve, kryeministri vuri në lëvizje edhe Giorgia Melonin për të lobuar kundër ndarjes.
Lobimi dështoi. Kryeministrja italiane bojkotoi të dy samitet e BE-së në Malin e Zi, në shenjë pakënaqësie. Por zemërimi i Melonit nuk ndryshoi asgjë. Italia mund ta kishte bllokuar vendimin me veto, por nuk e bëri. Edhe mikja më e afërt e Ramës në Europë zgjodhi të mos digjej për të.
Rreziku i madh: 2027 mund të bëhet kurrë
Pasiguria për mbylljen e negociatave krijon një rrezik të madh politik. Nëse Marine Le Pen fiton zgjedhjet presidenciale në Francë dhe AfD-ja forcohet më tej në Gjermani, i gjithë procesi i zgjerimit mund të ngrijë. Mali i Zi, me datat në dorë, mund të arrijë ta kalojë portën para se ajo të mbyllet. Shqipëria, me fusnotën e saj, mund të mbetet jashtë.
Në atë rast, objektivi europian që Rama e ka shitur si suksesin historik të qeverisjes së tij do të kthehet në dështimin e saj më të madh, dhe mund t’i kushtojë edhe pushtetin.
A është ky plani gjerman?
Përgjigjja mund të varet nga Uashingtoni. Por humbja e rëndë e Donald Trumpit në zgjedhjet e mesmandatit e ndërlikon lojën për Ramën, që e kishte ndërtuar strategjinë e tij te miqësia me familjen Trump. Në këtë klimë, edhe Samiti i NATO-s në Tiranë mund të pësojë fatin e afatit europian: të shtyhet pa një datë të sigurt.
Rama mund të vazhdojë të bjerë tam-tamet. Por në Bruksel, në Berlin dhe tani edhe në Uashington, zhurma e tij dëgjohet gjithnjë e më pak.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



