Një 32-vjeçar shqiptar është arrestuar nga karabinierët në provincën e Bergamos, në Itali, nën dyshimet për përfshirje në dy vjedhje në banesa. Dy persona të tjerë, që ndodheshin me të në veturë, arritën të largoheshin nëpër fusha gjatë ndërhyrjes së policisë.

Sipas mediumit italian Prima Bergamo, arrestimi ndodhi në mbrëmjen e 29 tetorit, pas një ndjekjeje nga karabinierët në zonën mes Albano Sant’Alessandro dhe Torre de’ Roveri.


32-vjeçari dyshohet se ishte njëri nga personat e përfshirë në dy vjedhje të kryera në këto dy lokalitete.

Vetura e dyshimtë u përcoll nga karabinierët

Ndërhyrja nisi gjatë një shërbimi kontrolli të territorit, të organizuar për të parandaluar vjedhjet në banesa. Ushtarët e Seksionit Operativ, të cilët ishin në rroba civile, vunë re një veturë të dyshimtë në Albano Sant’Alessandro dhe më pas përcollën lëvizjet e saj në drejtim të Torre de’ Roveri.

Pas një ndalese pranë fushës sportive, drejtuesi i veturës u ndal në rrugën “San Francesco d’Assisi”, ku në automjet hipën dy persona që vinin nga fushat bujqësore përreth.

Kjo situatë ngjalli dyshime te karabinierët, të cilët kërkuan mbështetjen e një patrulle të Njësisë së Radiomobilit, transmeton Telegrafi.

Kur panë karabinierët, tre personat që ndodheshin në veturë e braktisën atë dhe u larguan me vrap nëpër fusha. Dy prej tyre arritën t’u shmangeshin autoriteteve, ndërsa i treti u kap pas një përleshjeje.

Një karabinier u lëndua gjatë arrestimit

Sipas raportimit të Prima Bergamo, 32-vjeçari kishte ende të veshura doreza të zeza pune në momentin kur u ndalua.

Gjatë përpjekjes për t’u shmangur arrestimit, ai bëri rezistencë dhe, duke u përpëlitur, shkaktoi rrëzimin dhe lëndimin e një karabinieri.

Sekuestrohen para, stoli ari dhe mjete që dyshohet se përdoreshin për vjedhje

Gjatë kontrollit të mëvonshëm, karabinierët gjetën dhe sekuestruan mbi 1.000 euro para të gatshme, shumë stoli ari dhe sende të tjera me vlerë.

Po ashtu, u sekuestruan disa mjete që dyshohet se mund të përdoreshin për vjedhje në banesa. Në mesin e tyre kishte kaçavida, një prerëse teli, një majë të modifikuar të trapanit, dy llamba dore, një fleks dhe një radio-komunikues.

Gjykata i cakton arrest shtëpiak me byzylyk elektronik

Pas arrestimit, 32-vjeçari u dërgua në burgun e Bergamos. Gjatë seancës për vërtetimin e arrestimit, gjyqtari për hetime paraprake në Gjykatën e Bergamos vendosi ndaj tij masën e arrestit shtëpiak me byzylyk elektronik.

Ndërkohë, sipas Prima Bergamo, hetimet për rastin po vazhdojnë, ndërsa autoritetet janë në kërkim të dy personave të tjerë që arritën të largoheshin gjatë ndërhyrjes së karabinierëve./Telegrafi/