Shtatë nxënëse, të moshave 14 deri në 17 vjeçe, të shkollës së bashkuar “Hajredin Beqari” në Selenicë kanë denoncuar në polici mësuesin e edukimit fizik, 35-vjeçarin Albano Ameti, për ngacmime seksuale të dyshuara në ambientet e shkollës.
Pas kallëzimit, Policia e Vlorës e ka shoqëruar mësuesin, i cili prej rreth dy muajsh ishte pjesë e stafit pedagogjik të institucionit.
Disa nxënës kanë treguar se kishin dëgjuar për pretendimet ndaj tij, ndërsa disa prej tyre janë marrë në pyetje nga grupi hetimor. Edhe prindër të nxënëseve shprehen se kishin dijeni për pretendime mbi sjellje të papërshtatshme, përfshirë ngacmime me fjalë dhe prekje fizike.
Një nxënës ka deklaruar se mësuesi u drejtohej vajzave me shprehjen: “Hajde te lali zemra”.
Ndërkohë, kolegu i tij, mësuesi Dritan Gargaj, i cili thotë se e njihte prej rreth dy muajsh, shprehet se nuk beson që Ameti mund të ketë kryer veprime të tilla.
Policia po vijon hetimet dhe marrjen në pyetje të nxënësve e personave të tjerë që mund të kenë dijeni për rastin. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.

