Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për një prej organizatave më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të kokainës, e dyshuar për transportimin e të paktën 60.7 tonëve drogë nga Amerika e Jugut drejt Europës gjatë viteve 2019–2021.
SPAK ka dërguar për gjykim 16 persona, mes tyre edhe dy drejtuesit e dyshuar të rrjetit kriminal, Ervis Çela dhe Franc Gergely, i njohur si Franc Çopja.
Sipas hetimeve, organizata kishte krijuar lidhje të drejtpërdrejta me furnizues në Bolivi, Paraguaj dhe Brazil, ndërsa kokaina shpërndahej në Gjermani, Belgjikë, Holandë, Spanjë, Itali dhe vende të tjera europiane.
Hetuesit kanë dokumentuar edhe ndarjen e detyrave mes dy drejtuesve të dyshuar. Ervis Çela dyshohet se siguronte kokainën në Amerikën Latine, financonte blerjen dhe organizonte transportin e saj drejt Paraguait, përfshirë edhe përdorimin e avionëve të vegjël.
Ndërsa Franc Çopja dyshohet se koordinonte transportin e ngarkesave drejt Europës, nxjerrjen e tyre nga portet dhe shpërndarjen në tregun europian.
Për të shmangur kontrollet, kokaina fshihej në kontejnerë me mallra të ligjshme, kryesisht bojëra, stuko dhe produkte industriale. Ngarkesat niseshin nga Paraguai, kalonin përmes Argjentinës dhe më pas transportoheshin drejt porteve europiane.
Një pjesë e rëndësishme e hetimit është mbështetur në komunikimet e zbërthyera në platformat e enkriptuara SkyECC dhe EncroChat, ku janë identifikuar edhe detaje mbi kostot e trafikut.
Sipas të dhënave të hetimit, një kilogram kokainë blihej për rreth 4.200 dollarë, ndërsa 1.300 dollarë të tjera paguheshin si ryshfet për ngarkimin e drogës në anije. Për nxjerrjen e ngarkesave nga portet europiane, organizata dyshohet se paguante deri në 15 për qind të sasisë së kokainës.
Në pesë episode të dokumentuara, autoritetet kanë sekuestruar më shumë se 18 tonë kokainë. Mes tyre ishte edhe ngarkesa prej 17 tonësh e kapur në Hamburg të Gjermanisë.
Përfitimet e dyshuara nga trafiku arrinin potencialisht në miliarda euro. Për transferimin e parave, organizata përdorte sistemin informal Hawala, duke shmangur kanalet tradicionale bankare.
Hetimi ka prekur edhe pasuritë e personave të përfshirë. SPAK ka sekuestruar asete me vlerë rreth 9.2 milionë euro, ku përfshihen resorti Ajman Park në Durrës, një vilë me vlerë rreth një milion euro në Dhërmi, agroturizmi Solis Farm në Baldushk, prona të tjera, automjete dhe llogari bankare.
Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Europol, Eurojust dhe autoritetet ligjzbatuese të disa vendeve. Hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar dhe gjurmimin e pasurive që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.



