Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbardhur akuzat penale ndaj 16 personave të marrë të pandehur dhe të dërguar për gjykim në kuadër të dosjes së organizatës kriminale Çopja-Çela, e dyshuar për trafikimin e lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave.
Në mesin e të pandehurve janë Franc Çopja dhe Ervis Çela, si dhe nëntë persona të tjerë, të cilët akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë trafikimin e narkotikëve në kuadër të një organizate kriminale, pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale dhe organizimin e një organizate kriminale.
Sipas SPAK, ndaj tyre janë ngritur akuza për veprat penale të parashikuara nga nenet 283/a, 28/1, 334, 287/1 dhe 333 të Kodit Penal, që lidhen me trafikimin e narkotikëve, pastrimin e parave dhe kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale.
Ndërkohë, Albin Çela, Elidon Çela dhe Denis Daja akuzohen për pastrim të produkteve të veprës penale, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe kryerje të veprave penale në kuadër të saj.
Për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale janë marrë të pandehur edhe Ditjon Pepa dhe Kujtim Gjyla, të cilët akuzohen për kryerjen e kësaj vepre në bashkëpunim.
Në kuadër të së njëjtës dosje, SPAK ka marrë të pandehur Riza Çelën dhe Albin Çelën edhe për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm, të kryer në bashkëpunim dhe për qëllime fitimi.
Të 16 personat janë dërguar për gjykim, ndërsa akuzat ndaj tyre lidhen me veprimtarinë e dyshuar të organizatës kriminale Çopja-Çela në fushën e trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

