Vietnami fiton kurorën e “The Miss Globe”, RTSH transmetoi ekskluzivisht spektaklin
Përfaqësuesja e Vietnamit është shpallur fituese e edicionit të vitit 2026 të konkursit ndërkombëtar të bukurisë “The Miss Globe”, që këtë vit u zhvillua në Phuket të Tajlandës. Në vendin e dytë u rendit përfaqësuesja e vendit mikpritës, Tajlandës, ndërsa Ukraina, Argjentina dhe Holanda plotësuan pesë vendet e para. Ndërsa vendi ynë Shqipëria, e cila këtë vit përfaqësohej nga bukuroshja Paola Avdulaj arriti të kualifikohej në top 11 e vendeve kualifikuese. Në vitin e 101-të të historisë së tij, konkursi solli në skenë përfaqësuese nga pesë kontinente, duke e kthyer këtë edicion në një festë të bukurisë, kulturave dhe traditave të ndryshme.
Ajo që e bëri të veçantë spektaklin ishte koncepti artistik. Në ndryshim nga skenat moderne të mbushura me teknologji dixhitale, organizatorët sollën një skenografi tradicionale teatrale, duke vënë në pah dekorin, efektet skenike dhe magjinë e teatrit. Kostumografia, realizuar nga stilisti filipinez Louis Panglinian, plotësoi estetikën e këtij produksioni.
Përgjatë dy javëve në Tajlandë, konkurrentet morën pjesë në aktivitete kulturore, guida turistike dhe minikonkurrime, duke prezantuar njëkohësisht identitetin dhe platformat e tyre të angazhimit social.
Eventi i bukurisë u transmetua ekskluzivisht në Radio Televizionin Shqiptar, në vijim të bashkëpunimit si partner mediatik dhe bashkëprodhues i “The Miss Globe” prej më shumë se një dekade. I organizuar nga Deliart Association që prej vitit 2004, konkursi dëshmoi edhe një herë se bukuria është më shumë se një garë, duke u shndërruar në një platformë promovimi kulturor dhe komunikimi mes popujve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




