Pas humbjes në zgjedhje përballë studentëve, Aleksandër Vuçiç është shfaqur duke kënduar këngën “Vidovdan”, një prej këngëve më të njohura të lidhura me nacionalizmin serb, gjatë një takimi me mbështetësit e tij në veri të Serbisë.
Ngjarja u zhvillua mbrëmjen e së premtes në qytetin e Sremska Mitrovicës, në rajonin e Vojvodinës, ku Vuçiç iu bashkua mbështetësve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në interpretimin e këngës. Gjatë momentit, ish-kryeministrja Ana Bërnabiç e përqafoi atë.
“Kudo që shkoj, te ti kthehem sërish; askush s’mund të ma heqë Kosovën nga shpirti”, këndoi Vuçiç, duke rikthyer në vëmendje çështjen e Kosovës, e cila mbetet një prej temave kryesore të diskursit politik nacionalist në Serbi.
Kënga “Vidovdan”, e krijuar në vitin 1989 dhe e interpretuar nga Gordana Lazareviç, lidhet me kujtesën historike serbe për Betejën e Kosovës të vitit 1389.
Ajo u shndërrua në një simbol të nacionalizmit serb në të njëjtën periudhë kur Sllobodan Millosheviçi përdorte mitin e Kosovës për të mobilizuar mbështetjen politike.

