Çfarë i ndodhi? Erion Veliaj drejt një tjetër operacioni
Ekzaminimet zbulojnë probleme me këmbën e thyer
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të dytë kirurgjikale në këmbën e dëmtuar, pasi ekzaminimet e fundit mjekësore kanë evidentuar probleme në procesin e trajtimit të frakturës.
Sipas informacioneve, Veliaj ka kryer gjatë ditës së sotme ekzaminime në Spitalin Memorial të Fierit. Pas vlerësimit të gjendjes së tij, mjekët kanë rekomanduar një tjetër ndërhyrje kirurgjikale për trajtimin e dëmtimit në këmbë.
Shqetësimet lidhur me gjendjen shëndetësore të kryebashkiakut janë bërë publike prej disa ditësh nga avokati i tij, Plarent Ndreca. Ky i fundit kishte deklaruar më herët se prej afro dy javësh ishte paraqitur një kërkesë zyrtare për kryerjen e ekzaminimeve mjekësore, me qëllim verifikimin e ecurisë së rikuperimit të frakturës, por kontrollet nuk ishin realizuar.
Veliaj aktualisht qëndron në ambientet spitalore të burgut të Fierit, ku u transferua pas dëmtimit të këmbës. Gjatë kësaj periudhe, ai ka lëvizur me ndihmën e patericave dhe ka përdorur medikamente qetësuese për të përballuar dhimbjet.
Rekomandimi për një tjetër operacion vjen në një kohë kur gjendja e tij shëndetësore dhe trajtimi mjekësor kanë qenë në qendër të deklaratave të mbrojtjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



