Dyshime për helmim në kopshtin në Vlorë, 7 fëmijë përfundojnë në pediatri
Një situatë shqetësuese është regjistruar në Kopshtin nr. 10 në Vlorë, ku disa fëmijë kanë shfaqur probleme shëndetësore, duke ngritur dyshimet për një helmim të mundshëm ushqimor.
Shtatë fëmijë janë paraqitur për ndihmë mjekësore në pediatrinë e Spitalit Rajonal të Vlorës, pasi kanë shfaqur simptoma si dhimbje barku dhe të vjella. Sipas informacioneve paraprake, shqetësimet kanë nisur që mbrëmjen e kaluar.
Pesë prej fëmijëve janë shtruar në spital dhe po marrin trajtim mjekësor, ndërsa prindër të tjerë kanë raportuar se edhe fëmijët e tyre kanë shfaqur simptoma të ngjashme, por kanë zgjedhur t’u japin ndihmë në banesë.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka dhënë informacion zyrtar për rastet e evidentuara. Sipas njoftimit të institucionit, gjatë ditës së djeshme në Spitalin Rajonal të Vlorës janë paraqitur katër raste pediatrike me simptoma të gastroenteritit, ndërsa sot është regjistruar edhe një rast tjetër.
Pas konstatimit të rasteve, është vënë në dijeni Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Vlorë. Specialistët e kësaj strukture kanë mbërritur në spital dhe kanë marrë mostrat për kryerjen e analizave laboratorike.
Aktualisht, autoritetet shëndetësore po zhvillojnë hetimin epidemiologjik dhe po presin rezultatet e analizave për të përcaktuar shkakun e problemeve shëndetësore. Deri në përfundimin e verifikimeve, dyshimi për helmim ushqimor mbetet ende i pakonfirmuar.
Spitali Rajonal i Vlorës, në bashkëpunim me strukturat e shëndetit publik, po monitoron situatën dhe po ndjek procedurat për trajtimin e rasteve dhe vlerësimin e mëtejshëm të gjendjes.
Mbetet për t’u parë nëse analizat laboratorike do të konfirmojnë një helmim nga ushqimi dhe nëse rastet kanë lidhje me ushqimet e konsumuara në ambientet e kopshtit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



