Tirana pritet të jetë sot në fokus të dy protestave. Partia Demokratike ka thirrur mbështetësit e saj në protestë ditën e sotme, në orën 12:00, përpara Kryeministrisë, në mbështetje të kauzës së studentëve.
Thirrja është bërë nga kryedemokrati Sali Berisha, i cili u ka bërë apel qytetarëve t’i bashkohen protestës, duke e cilësuar revoltën studentore si një kauzë që tejkalon bindjet politike.
Demokratët u grumbulluan në selinë blu dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, teksa tashmë janë pozicionuar përpara institucionit shtetëror.
Në krye të grupit po qëndrojnë deputetët demokratë, Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Elda Hoti, Tedi Blushi. Kreu i PD-së, Sali Berisha, mungon në protestë.
Ndërkohë, në orën 14:00 pritet të zhvillohet protesta kombëtare e studentëve para Ministrisë së Arsimit, të cilët, pavarësisht thirrjeve të kryeministrit Edi Rama për dialog, kanë paralajmëruar vijimin e qëndresës.
Në krah të tyre janë rreshtuar edhe pedagogë, të cilët kanë shprehur publikisht solidaritetin me protestuesit.
Si pasojë, policia ka bërë një plan masash për protestat e sotme. Gazetarja Anila Hoxha ka bërë me dije se janë angazhuar 1200 efektivë policie.
Kujtojmë se një ditë më parë, kreu i qeverisë Edi Rama bëri publike hapësirën më të re të komunikimit online, përmes së cilës qytetarët do të kenë mundësi t’i drejtohen drejtpërdrejt atij dhe qeverisë për problematikat që i shqetësojnë.
Top Channel