Tryeza e ngurtë shtatëkëndore e vendosur nga Edi Rama para Kryeministrisë nuk ka tërhequr deri më tani studentët për dialog, megjithatë ajo ja ka dalë mbanë që të tërheqë kureshtarë. Në ditën kur PD dhe studentët thirrën protestën e radhës kombëtare kundër tij, kreu i Qeverisë ndau një set fotografik nga qytetarët që kanë ndaluar, fotografuar, apo edhe përdorur për të lidhur këpucët heptagonin e dialogut. Këtë të shtunë, Rama nuk përsëriti thirrjen për dialog, por uroi një fundjavë të buzëqeshur për ndjekësit e tij në rrjetet sociale me shënimin se heptagoni i ngurtë i dialogut është shndërruar në destinacionin më të ri turistik në kryeqytet.