Kompania që po ndërton Tunelin Bazë Brenner në shënjestër të hakerave pro-rusë

7 Nëntor 2026 | 14:12

Kompania BBT SE, e cila është përgjegjëse për ndërtimin e Tunelit Bazë Brenner, një prej projekteve më të rëndësishme hekurudhore në Europë, ka konfirmuar se është goditur nga një sulm kibernetik. Incidenti, i regjistruar më 17 tetor, dyshohet se ka përfshirë vjedhjen e të dhënave jo-publike nga rrjeti i brendshëm i kompanisë.

Sulmi ndaj kompanisë që po ndërton tunelin 55 kilometra të gjatë, i cili do të lidhë Innsbruckun në Austri me Fortezzën në Itali, vjen në një kohë kur Italia po përballet edhe me sulme kibernetike ndaj zyrtarëve të saj të lartë.

Sipas raportimeve të gazetës austriake Tiroler Tageszeitung, hetimet paraprake kanë ngritur dyshime për përfshirjen e grupit të hakerave pro-rusë të njohur si Everest. Megjithatë, autorësia e sulmit nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Në një deklaratë, BBT SE bëri të ditur se kishte reaguar menjëherë pas identifikimit të incidentit, duke aktivizuar protokollet e sigurisë kibernetike dhe duke izoluar sistemet e prekura.

Kompania konfirmoi gjithashtu se kishte kërkuar ndihmën e specialistëve të jashtëm për të kryer analizat forenzike dhe për të përcaktuar përmasat e ndërhyrjes.

Nga të dhënat e bëra publike rezulton se sulmi përfshinte informacione jo-publike, të cilat dyshohet se janë marrë përmes aksesit në rrjetin e kompanisë të lidhur me internetin.

BBT SE është kompania që qëndron pas projektit të Tunelit Bazë Brenner, një infrastrukturë strategjike që synon të përmirësojë lidhjet hekurudhore mes Italisë dhe Austrisë, duke lehtësuar transportin përmes Alpeve.

Konfirmimi i këtij sulmi vjen në të njëjtën kohë me deklaratat e ministrit të Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili bëri të ditur se ishte vënë në shënjestër të hakerave.

Tajani deklaroi të shtunën se të dhënat e tij personale ishin publikuar për disa ditë në rrjetin e errët. Sipas tij, autorët kishin tentuar të siguronin informacione të tjera, duke ekspozuar atë dhe familjen e tij ndaj kërcënimeve dhe frikësimeve.

Ministri italian e lidhi sulmin me qëndrimin e Romës në mbështetje të Ukrainës, duke pretenduar se kjo ishte arsyeja politike përse ishte përzgjedhur si objektiv.

“Qëndrimi ynë ndaj Ukrainës është arsyeja politike pse jam vënë në shënjestër”, deklaroi Tajani, duke shtuar se mbrojtja e lirisë dhe pavarësisë së një shteti sovran përbënte një arsye për këto organizata kriminale që ta sulmonin.

Ndërkohë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni shprehu mbështetjen për ministrin, duke e cilësuar publikimin dhe shitjen e informacioneve konfidenciale për zyrtarët publikë si një çështje që kërkon trajtim me vendosmëri.

Sulmi ndaj BBT SE shton shqetësimet për sigurinë kibernetike të infrastrukturave strategjike europiane, veçanërisht në një periudhë tensionesh të shtuara gjeopolitike dhe sulmesh që dyshohet se kanë lidhje me grupe të orientuara politikisht.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Gjermania drejt zgjedhjes së presidentes së parë grua, konservatorët e Merz në prag emërimit të Ilse Aigner

Politikania bavareze Ilse Aigner pritet të jetë kandidatja e bllokut konservator të kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe Partisë Social Demokrate (SPD) për postin e presidentes...
13:55 | 07/11/2026

Franca në alarm nga protestën e së shtunës, mobilizohen 70 mijë policë dhe xhandarë në të gjithë vendin

Franca po vendos 70,000 oficerë policie dhe xhandarë në të gjithë vendin të shtunën, ndërsa autoritetet përgatiten për një valë të re demonstratash, duke paralajmëruar...
13:09 | 07/11/2026

Inteligjenca artificiale parashikon çfarë duam të blejmë, edhe kur nuk e dimë vetë

Inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si konsumatorët kërkojnë, zgjedhin dhe blejnë produkte në internet. Përmes analizimit të miliona veprimeve të përdoruesve, algoritmet përpiqen të...
12:57 | 07/11/2026