Momente tensioni janë regjistruar gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ku disa prej pjesëmarrësve kanë tentuar të largojnë një person, për të cilin dyshonin se ishte infiltruar në tubim me qëllim provokimin e protestuesve.
Demokratët i kanë kërkuar personit të largohej nga bulevardi, duke pretenduar se kishte hyrë mes tyre për të krijuar përplasje dhe për të penguar vijimin e protestës. Situata u tensionua për disa momente, ndërsa ndërhyrja e deputetit të Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ndihmoi në qetësimin e konfliktit.
Pas incidentit, Balliu reagoi në një prononcim për News24, duke akuzuar policinë dhe qeverinë se po përdorin provokatorë për të frikësuar qytetarët që janë bashkuar në mbështetje të studentëve. Sipas tij, mes personave të pranishëm kishte individë që fyenin protestuesit, veçanërisht dy gra që ndodheshin në tubim.
“Provokatorë të qeverisë, xhepistë të vegjël, provokatorë që shajnë me fjalë të ndyra qytetarët që kanë dalë të mbështesin studentët dhe pseudo-policë që kanë dhunuar dhe sakatuar të rinjtë. Policia sjell këtë llum dhe zhul për të sharë dy zonja dhe qytetarët reagojnë, dhe shumë mirë bëjnë”, u shpreh Balliu.
Deputeti theksoi se tubimi nuk duhet të humbasë karakterin e tij studentor, duke nënvizuar se qytetarët janë mbledhur për të mbështetur kërkesat e të rinjve dhe jo për të zëvendësuar lëvizjen e tyre.
“Protesta është e studentëve. Qytetarët po mblidhen në mbështetje të protestës studentore”, përfundoi Balliu.