Sulmuesi i Parmës, El Bilal Touré, ka rënë pre e një grabitjeje në vilën e tij në Mariano, në zonën e Parmës, ku hajdutët kanë arritur të marrin ora luksoze dhe bizhuteri me vlerë mbi 500 mijë euro.
Autorët kanë shfrytëzuar mungesën e futbollistit, i cili ndodhej në fushë për ndeshjen ndaj Atalantës, për të hyrë në banesën e tij dhe për të marrë sendet me vlerë.
Ngjarja ka ndodhur të hënën, më 2 nëntor, por Touré e ka zbuluar grabitjen vetëm një ditë më vonë, kur është kthyer në vilën e tij. Sipas gazetës italiane “La Gazzetta di Parma”, futbollisti e kishte kaluar natën në Collecchio dhe, me të mbërritur në banesë, ka konstatuar se dera ishte hapur me forcë dhe ambientet ishin kontrolluar nga hajdutët.
Mes sendeve të vjedhura raportohet se janë disa ora luksoze të markave të njohura Rolex dhe Cartier, si dhe bizhuteri të ndryshme. Vlera totale e sendeve të grabitura llogaritet në më shumë se 500 mijë euro.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Një ndihmë e rëndësishme në zbardhjen e ngjarjes pritet të japin pamjet e kamerave të sigurisë, ndërsa mënyra se si është kryer grabitja ka ngritur dyshime për përfshirjen e një bande profesionistësh.

