Irani po merr masa për t'u përgatitur ndaj mundësisë së një përshkallëzimi të ri ushtarak me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Autoritetet iraniane kanë nisur informimin e qytetarëve për masat që duhet të ndërmarrin në rast të një emergjence me pasoja bërthamore, ndërsa në Teheran po shpërndahen tableta jodi dhe udhëzime për mbijetesë. Këto zhvillime vijnë në një kohë kur presidenti amerikan, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e rifillimit të veprimeve ushtarake kundër Iranit. Sipas raportimit të “The Times”, masat e marra nga autoritetet lidhen me shqetësimet për pasojat që mund të shkaktonte një sulm i ri, veçanërisht në rast se objektivat do të përfshinin instalime të ndjeshme bërthamore.