E shtunë, 7 Nëntor 2026 Lajme Ora 15:00 dhe Moti deri në 15:40 Në vijim ora 15:40: Fat i Hidhur Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

SHBA/ Emigrant i paligjshëm arrestohet jashtë Shtëpisë së Bardhë, dyshohet se kërcënoi se do të vriste Donald Trump

Agjentët e Shërbimit Sekret amerikan kanë arrestuar një shtetas venezuelian në Uashington, pasi u kap brenda një automjeti të vjedhur, ku u gjetën tre armë zjarri dhe dhjetëra fishekë. Sipas autoriteteve amerikane, i dyshuari kishte kërcënuar se do të vriste presidentin Donald Trump.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes, më 5 nëntor, në Constitution Avenue, pranë kompleksit të Shtëpisë së Bardhë. Sipas Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare, i dyshuari u pikas duke u sjellë në mënyrë të dyshimtë brenda automjetit të parkuar. Gjatë komunikimit me agjentët, ai deklaroi se dëgjonte zëra në kokë që i thoshin të udhëtonte drejt kryeqytetit dhe të vriste Trumpin.

I arrestuari është identifikuar si Ronnie Yordrix Guanipa Chrinos. Gjatë kontrollit të automjetit, i cili rezultoi i raportuar si i vjedhur, autoritetet gjetën një pushkë të tipit AR-15, dy pistoleta dhe dhjetëra fishekë. Sipas të dhënave zyrtare, ai kishte hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara në mars të vitit 2024, përmes Teksasit, ku ishte ndaluar fillimisht nga Patrulla Kufitare dhe më pas ishte liruar.

Pas arrestimit, Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave (ICE) kërkoi mbajtjen e tij në paraburgim pranë Shërbimit të Marshallëve të SHBA-së, i cili aktualisht ka marrë në mbikëqyrje të dyshuarin. Ai përballet me disa akuza, mes të cilave mbajtje të paligjshme të armëve dhe municioneve, transport të paligjshëm të armëve të zjarrit, vjedhje dhe përdorim të paautorizuar të automjetit.

Drejtori i Shërbimit Sekret amerikan, Sean Curran, deklaroi se ndërhyrja e agjentëve parandaloi përshkallëzimin e një situate që përbënte kërcënim të drejtpërdrejtë për personat nën mbrojtjen e institucionit dhe qytetarët e tjerë. Ai shprehu gjithashtu shqetësimin për shtimin e rasteve të kërcënimeve dhe incidenteve të sigurisë pranë Shtëpisë së Bardhë.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.