Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka deklaruar se asnjë marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë nuk mund të zbatohet pa përfshirjen e vendeve të BE-së. Pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të rajonit të Baltikut, të mbajtur në Varshavë, Kallas theksoi se është ende e paqartë se kur dhe në çfarë kushtesh Ukraina dhe Rusia mund të arrijnë një marrëveshje paqeje.
“Ne nuk mund të themi se si dhe kur Ukraina dhe Rusia do të lidhin një marrëveshje paqeje. Që çdo marrëveshje të mund të zbatohet, do të jetë e nevojshme pjesëmarrja e Bashkimit Evropian”, tha Kallas.
Megjithatë, sipas saj, pjesëmarrja e Bashkimit Evropian do të jetë e domosdoshme për zbatimin e çdo marrëveshjeje të mundshme. Edhe Komisioni Evropian ka shprehur të njëjtin qëndrim, duke nënvizuar se rruga drejt një marrëveshjeje paqeje mbetet e gjatë dhe se çështjet që lidhen me Evropën nuk mund të trajtohen pa përfshirjen e saj.
Edhe qeveria gjermane ka kundërshtuar zhvillimin e negociatave për Ukrainën pa pjesëmarrjen e vendeve evropiane, duke i cilësuar ato si jo të dobishme. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, bëri të ditur se kancelari Friedrich Merz dhe presidenti amerikan Donald Trump kanë zhvilluar një bisedë telefonike, gjatë së cilës kanë diskutuar për ecurinë e negociatave dhe hapat e ardhshëm për t’i dhënë fund luftës.
Sipas Korneliusit, pas zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA, procesi diplomatik ka marrë një dinamikë të re, ndërsa është shtuar edhe ndjesia e urgjencës për arritjen e një zgjidhjeje. Ai bëri të ditur se Berlini dhe Uashingtoni ndajnë të njëjtin qëndrim mbi disa parime themelore.
Së pari, lufta në Ukrainë duhet të përfundojë përpara se të diskutohet për një rend të ri të sigurisë në Evropë. Gjithashtu, një marrëveshje duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të gjitha palët duhet të bien dakord për të. Sipas Gjermanisë, edhe partnerët e NATO-s duhet të jenë të bashkuar dhe të japin miratimin e tyre përmes konsensusit.
Trump paralajmëron një marrëveshje të madhe me Rusinë
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet se mund të arrihet një marrëveshje e rëndësishme me Rusinë, pas një takimi me një këshilltar të presidentit rus Vladimir Putin. Trump e cilësoi marrëveshjen të mundshme, duke lënë të hapur mundësinë që ajo të mos lidhet vetëm me luftën në Ukrainë, por të ketë ndikim edhe në të gjithë Evropën.
Në këtë klimë diplomatike, të martën dhe të mërkurën e javës së ardhshme pritet të zhvillohen në Abu Dhabi bisedime trepalëshe mes përfaqësuesve të Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Takimi konsiderohet i pari i këtij formati që prej muajit shkurt. Megjithatë, ajo që ka nxitur shqetësim në Evropë është mungesa e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në këto negociata, pavarësisht rolit që Brukseli kërkon të ketë në çdo marrëveshje për përfundimin e luftës.













