Rreth 1,6 milionë litra naftë të importuara nga kompania “Sallillari” janë bërë shkak për një përplasje të fortë brenda administratës doganore, e cila ka shkuar deri në akuza për kontrabandë, ryshfet dhe ndërhyrje nga drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Në qendër të përplasjes është një gjobë prej 312 milionë lekësh dhe detyrime fiskale prej 156 milionë lekësh, në total rreth 5.1 milionë euro, të përllogaritura nga Dogana e Durrësit për karburantin e importuar nga kompania, por që, sipas burimeve të Skyweb.al, nuk rezultojnë të jenë paguar.
Burime bëjnë me dije se gjatë trajtimit të çështjes ka pasur ndërhyrje nga nivele të larta drejtuese për mënyrën se si do të procedohej me detyrimet e kompanisë dhe për trajtimin administrativ të dosjes.
Historia lidhet me importimin e 1.326.546 kilogramëve naftë nga kompania “Sallillari”, ekuivalente me rreth 1,6 milionë litra, të deklaruara për përdorim në ndërtimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.
Çështja është trajtuar nga administrata doganore edhe gjatë shkurtit 2026, ndërsa dokumentet e procedurës janë bërë objekt përplasjesh brenda institucionit, me doganierë që akuzojnë drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për favorizim të kompanisë dhe një skemë të ngjashme me gjobën ndaj Bankers Petroleum, e cila siç raportoi atëhere Skyweb.al u mbaj sirtareve dhe nxirrej në qarkullim sa herë mediat bënin ndonjë denoncim.
E njëjta gjë duket se ka ndodhur edhe me Salillarin.
Sipas burimeve të Skyweb.al, nafta fillimisht është lejuar të futet në vend pa u kërkuar pagesa e detyrimeve të mëvonshme, ndërsa pas daljes së çështjes në media, administrata doganore ka ndërmarrë procedurat për përllogaritjen e tyre, për të patur “letrat” në rregull.
Nga kontrolli i dokumentacionit, Dogana e Durrësit ka përllogaritur 156.010.328 lekë detyrime fiskale.
Në këtë shumë përfshihen 60,46 milionë lekë akcizë, 42,71 milionë lekë taksë qarkullimi, 4,75 milionë lekë taksë karboni dhe 48,09 milionë lekë TVSH.
Përveç detyrimeve fiskale, është përllogaritur edhe një gjobë prej 312.020.656 lekësh, duke e çuar faturën totale në 468.030.984 lekë, ose rreth 5.1 milionë euro.
Megjithatë, siç mëson Skyweb.al, kjo shumë nuk rezulton të jetë arkëtuar, ndërsa procedura është shoqëruar me ndërhyrje dhe akuza brenda administratës doganore.
Skyweb.al ka siguruar dokumentacionin e përllogaritjes së detyrimeve, ndërsa drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave duhet të shpjegojnë se çfarë ka ndodhur me faturën prej 5.1 milionë eurosh.
Përse nuk është paguar kjo shumë? Kush ka ndërhyrë nga strukturat drejtuese dhe a është marrë ndonjë vendim për anulimin apo faljen e detyrimeve të kompanisë?
Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje nga drejtuesit e Doganave, përfshirë sqarimin e akuzave të ngritura brenda institucionit për favorizim dhe ndërhyrje në procedurë.
Por çështja merr një dimension tjetër për shkak të përfshirjes së projektit të bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.
Autoritetet doganore duhet të sqarojnë nëse e gjithë sasia prej rreth 1,6 milionë litrash naftë është përdorur realisht për punimet e bazës ajrore, sikurse është deklaruar gjatë importit.
Verifikimi i destinacionit përfundimtar të naftës është thelbësor për të sqaruar mënyrën e trajtimit të kësaj dosjeje, për të cilën janë përllogaritur miliona euro detyrime dhe gjobë.
Ndërkohë, akuzat për ndërhyrje nga lart, favorizim dhe ryshfet që, sipas burimeve, kanë qarkulluar brenda administratës doganore në drejtim të “shefave”, shtojnë pikëpyetjet për përgjegjësitë e zyrtarëve që kanë trajtuar procedurën. /skyweb.al













