Krizë e rëndë në Jemen, mbi 313 mijë të zhvendosur që nga muaji gusht

Botë | 29 minuta më parë

Jemeni po përballet me një valë të re dhe alarmante të zhvendosjes së popullsisë, teksa mbi 313,000 persona janë detyruar të braktisin vatrat e tyre që nga fillimi i muajit gusht.

Shifrat dramatike janë bërë publike nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), e cila thekson se situata vijon të mbetet jashtëzakonisht kritike.

Sipas të dhënave, mbi 40 për qind e totalit të personave të zhvendosur janë shpërngulur duke rënduar edhe më shumë barrën mbi komunitetet pritëse dhe strukturat e kufizuara lokale.

Përkeqësimi i kushteve të sigurisë dhe lëvizjet masive të popullsisë kanë sjellë gjithashtu një kolaps të plotë të shërbimeve jetike.

Fondi i Popullsisë i OKB-së në Jemen ka bërë të ditur se më shumë se 80 për qind e spitaleve dhe qendrave mjekësore në qytetin e Taizit janë aktualisht jashtë funksionit.

Ky bllokim i strukturave shëndetësorë vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës kritike të karburantit për gjeneratorët dhe e largimit apo mungesës së personelit mjekësor, duke lënë mijëra qytetarë të plagosur dhe të sëmurë pa asnjë lloj ndihme mjekësore në orët e tyre më të vështira.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme