Protesta e studentëve dhe qytetarëve ka marrë një tjetër drejtim, pasi protestuesit janë larguar nga godina e Ministrisë së Arsimit dhe kanë nisur marshimin në drejtim të Kryeministrisë.
Gjatë marshimit në Rrugën e Durrësit, studentët dhe mbështetësit e tyre kanë vijuar thirrjet kundër kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen dhe arrestimin e tij.
“Dorëheqje”, “Arrestoni Ramën” dhe “Rama në burg, Berisha në burg” janë disa nga sloganet që janë dëgjuar gjatë lëvizjes së protestuesve.
Në thirrjet e tyre nuk kanë munguar as kritikat ndaj Partisë Demokratike, me protestuesit që kanë shprehur pakënaqësi ndaj klasës politike dhe përfaqësimit të tyre. Të rinjtë kanë kundërshtuar gjithashtu thirrjen e kryeministrit për dialog, duke këmbëngulur se dorëheqja e tij mbetet kërkesa e panegociueshme e protestës.














