Protesta në Tiranë është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë, ndërsa situata ka ndryshuar disa herë gjatë zhvillimeve të pasdites.
Pas incidenteve të regjistruara pranë Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit hodhën sende të forta në drejtim të efektivëve, policia ndërhyri për të kontrolluar situatën. Në përshkallëzimin e tensioneve u përdorën edhe spraj, gaz lotsjellës dhe autoboti me ujë.
Ndërkohë, protestuesit e Partisë Demokratike ishin nisur më herët nga selia blu drejt Kryeministrisë, në kuadër të tubimit kundër qeverisë së Edi Ramës. Marshimi u drejtua nga deputetët Flamur Noka dhe Agron Gjekmarkaj, ndërsa Sali Berisha nuk ishte i pranishëm në krye të tij.
Paralelisht, studentët vijuan protestën para Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar largimin e kryeministrit dhe të qeverisë. Gjatë ditës u regjistruan edhe përplasje verbale mes protestuesve studentë dhe mbështetësve të PD-së, për shkak të pranisë së përfaqësuesve politikë në tubimin e të rinjve.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa protestat zhvillohen në disa pika të kryeqytetit.

