Nuk i rezistoi dot futbollit, David Silva rikthehet nga pensioni pas 3 vitesh dhe bëhet protagonist në Hong Kong Robert dhe Michael Hartono, dy vëllezërit indonezianë që blenë klubin në vitin 2019, renditen mes 65 njerëzve më të pasur në planet. Pasuria e tyre i lë pas edhe emra të njohur të futbollit italian si John Elkann, Rocco Commisso dhe Dan Friedkin.
Historia e Como 1907 është një nga transformimet më të jashtëzakonshme të viteve të fundit në futbollin europian. Në vitin 2019, klubi italian ndodhej në kategorinë e katërt, me një vlerë tregu të skuadrës prej vetëm 2.4 milionë eurosh. Në atë moment, dy miliarderët indonezianë Robert dhe Michael Hartono vendosën të investonin te klubi, duke nisur një projekt që do ta ndryshonte rrënjësisht të ardhmen e tij. Shtatë vite më vonë, Como është kthyer në një emër të rëndësishëm të futbollit italian. Nën drejtimin e Cesc Fàbregas, skuadra konkurron në nivelet më të larta, ndërsa vlera e organikës ka arritur në rreth 568 milionë euro, nga vetëm 2.4 milionë në momentin e marrjes së klubit. Një rritje më shumë se 236-fish, që dëshmon përmasat e këtij investimi.
Por pas projektit ambicioz qëndrojnë dy pronarë me një fuqi financiare të jashtëzakonshme. Robert dhe Michael Hartono janë ndër 65 njerëzit më të pasur në botë, sipas renditjes së Forbes, dhe pasuria e tyre i vendos në një kategori më vete mes pronarëve të klubeve të futbollit italian.
Hartono përpara emrave të mëdhenj të futbollit italian
Renditja e Forbes për miliarderët e botës përfshin 73 sipërmarrës italianë me pasuri mbi një miliard dollarë, disa prej të cilëve kanë investuar edhe në futboll. Megjithatë, kur bëhet fjalë për pronarët e klubeve, Hartono-t janë në një nivel tjetër për nga pasuria. Në listë gjenden edhe John Elkann, administratori i Exor, kompania që kontrollon Juventusin; familja Squinzi, e lidhur me Sassuolon; si dhe pesë fëmijët e Silvio Berlusconit, që zotërojnë shumicën e aksioneve të Monzës.
Mes sipërmarrësve të tjerë të lidhur me futbollin italian janë Antonio Percassi i Atalantës, me një pasuri prej 1.6 miliardë dollarësh, Giovanni Arvedi i Cremoneses, me 1.8 miliardë dollarë, dhe Danilo Iervolino i Salernitanës. Në këtë renditje spikat edhe Renzo Rosso, pronari i Vicenzës, me një pasuri të vlerësuar në 3.7 miliardë dollarë.
Amerikanët dominojnë mes pronarëve të Serie A
Edhe pse Hartono-t janë në një kategori më vete, mes pronarëve të klubeve të Serie A spikasin tre sipërmarrës amerikanë. Në krye qëndron Rocco Commisso, pronari i Fiorentinës, me një pasuri prej 8 miliardë dollarësh, i renditur në vendin e 322-të në botë. Pas tij vjen Dan Friedkin, presidenti i Romës, me 6.4 miliardë dollarë, ndërsa Joey Saputo dhe familja e tij, të lidhur me Bolognën, kanë një pasuri të përbashkët prej 4.4 miliardë dollarësh.
Në këtë panoramë, projekti i Como-s merr një tjetër dimension. Klubi nuk ka vetëm një skuadër që po rritet me ritme të jashtëzakonshme, por edhe pronarë me burime financiare që e vendosin atë mes projekteve më ambicioze të futbollit italian.
Top Channel