Bayern Munich merr tri pikë të rëndësishme ndaj Mainzit dhe ruan kreun e Bundesligës

Bayern Munich ka marrë një fitore të rëndësishme në udhëtim te Mainz, duke triumfuar me rezultat 2-1 në kuadër të javës së nëntë të Bundesligës.
Skuadra bavareze siguroi tri pikët falë golave të Joshua Kimmich dhe Lennart Karl, duke shkuar në kuotën e 21 pikëve dhe duke vazhduar të kryesojë në kampionatin gjerman.
Bayerni e nisi ndeshjen në mënyrë ideale, duke kaluar në epërsi që në minutën e 14-të. Joshua Kimmich kontrolloi bukur një pasim në hyrje të zonës dhe me një goditje të saktë e dërgoi topin në këndin e sipërm të portës për 1-0.
Mainzi arriti të gjente rrugën drejt rrjetës në minutën e 40-të, kur Jae-Sung Lee shënoi me kokë pas një harkimi nga goditja standarde. Megjithatë, pas rishikimit nga VAR-i, goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Der Schuss ➡️ Der Torjubel https://t.co/VvdLInYBTg
— FC Bayern München (@FCBayern) November 7, 2026
Në pjesën e dytë, Bayerni vazhdoi të krijonte raste dhe në minutën e 57-të e dyfishoi epërsinë. Harry Kane shërbeu bukur Lennart Karl brenda zonës, ndërsa talenti i bavarezëve e konkretizoi aksionin me një goditje të ulët në mes të portës për 2-0.
Mysafirët patën mundësi të tjera për ta thelluar rezultatin. Joshua Kimmich, Harry Kane dhe Alphonso Davies rrezikuan portën kundërshtare, ndërsa Dayot Upamecano ishte shumë pranë golit në minutën e 86-të, por goditja e tij me kokë përfundoi në traversë.
Mainzi ndërkohë arriti ta gjente rrjetën në minutat e fundit të ndeshjes përmes Phillip Tietz që realizoi me kokë për 2-1, por nuk ishte e mjaftueshme për ta evituar humbjen.
Me këtë triumf, Bayern Munich shkon në kuotën e 21 pikëve dhe mbetet lider i Bundesligës pas nëntë javësh, duke vazhduar garën për ta mbrojtur titullin e kampionit./Telegrafi/











































