Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ishte sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, nga ku u shpreh mbi zhvillimet në sektorin e aviacionit dhe zgjerimin e aktivitetit të kompanive ajrore që operojnë në Shqipëri.
Gjatë prononcimit të tij, ministri bëri të ditur se një prej operatorëve më të rëndësishëm low-cost ka njoftuar shtimin e linjave ajrore dhe zgjerimin e flotës së tij në aeroportin e Rinasit
“Kënaqësi të isha sot në aeroportin e Rinasit, ku një nga operatorët më të rëndësishëm low cost ka njoftuar shtimin e linjave ajrore, por edhe shtimin e flotës së vet në këtë aeroport.
Sigurisht ky është një sinjal shumë i mirë për aviacionin në Shqipëri, pasi vazhdojmë me rritjen e tij dhe kjo është falë edhe gjithë punës që ka bërë Qeveria Shqiptare gjatë gjithë këtyre viteve. Sigurisht kemi ecur me liberalizimin e linjave, duke futur tashmë dhe linjat që quhen low cost,” u shpreh ministri.
Ministri ia atribuoi këtë ecuri edhe politikave të ndjekura ndër vite nga qeveria, duke veçuar liberalizimin e tregut ajror dhe uljen e tarifës për pasagjerët nga 10 euro në 1 euro.
“Po ashtu kemi ulur tarifën për pasagjerët nga 10 euro në 1 euro, që sot aktualisht është ndër më të ulëtat në rajon dhe në Europë. Dhe sigurisht të gjitha këto kanë bërë të mundur që aeroporti i Rinasit të jetë më i madhi në rajon. Shifrat tregojnë që trafiku ajror i vitit 2026 parashikohet të jetë rreth 18.3% më i madh se viti 2025. Ne nuk krahasohemi fare me shifrat e vitit 2019, siç bëjnë shumë shtete të tjera, pasi në krahasim me vitin 2019, ne jemi mbi trefish të trafikut ajror.
Sigurisht për të bërë të mundur kontrollin dhe navigimin e trafikut ajror nga ana e Albcontrol, shoqërisë shtetërore të trafikut ajror, janë bërë të gjitha investimet e nevojshme, si nga ana e kapitalit njerëzor, por edhe nga ana e teknologjisë që ky trafik të vazhdojë dhe të menaxhohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhe sigurisht për mua ishte shumë kënaqësi të flisja me përfaqësuesit e linjës ajrore, por edhe të aeroportit dhe për të dëgjuar të gjitha planet e zgjerimit,”- sqaroi Karakaçi.
Sipas ministrit, ky zhvillim përbën një sinjal pozitiv për ecurinë e aviacionit në vend, i cili pritet të vijojë rritjen edhe gjatë vitit 2026.
“Dhe një lajm tjetër po ashtu domethënës për trafikun ajror në Shqipëri është që këto nivele që ne parashikojmë të mbyllim në vitin 2026 me përpunimin e mbi 13.5 milionë pasagjerësh, janë bërë pa asnjë incentivë mbështetëse financiare nga ana e Qeverisë Shqiptare, siç ka ndodhur dhe në shtetet e tjera,” theksoi ai










