Piloti italian përfundoi në tokë pas një përplasjeje të fortë me Fermin Aldeguer në kthesën e 16-të. Bagnaia dyshohet se humbi për pak momente ndjenjat dhe u transportua me barelë drejt qendrës mjekësore.

Sprinti i Çmimit të Madh të Katarit në MotoGP është ndërprerë me flamur të kuq vetëm pak çaste pas nisjes, pas një aksidenti të frikshëm ku u përfshi Francesco Bagnaia.

Dy herë kampioni i botës e nisi mirë garën, duke u ngjitur deri në vendin e dytë, por më pas kishte zbritur në pozitën e pestë. Në kthesën e 16-të, Fermin Aldeguer, gjithashtu pilot i Ducati-t, tentoi të parakalonte Pedro Acostën e KTM-së, por në manovër përfundoi duke goditur motorin e Bagnaia-s.

Përplasja shkaktoi një rrëzim të dhunshëm, me italianin që pësoi një highside të frikshëm dhe u përplas fort në asfalt. Sipas raportimeve fillestare, Bagnaia dyshohet se humbi për pak momente ndjenjat, por ishte rikthyer në vetëdije kur stafi mjekësor mbërriti pranë tij në zonën e zhavorrit. Piloti italian u transportua me barelë drejt qendrës mjekësore për kontrolle të mëtejshme.

Ndërkohë, organizatorët vendosën të ndërpresin menjëherë sprintin me flamur të kuq, për t’i dhënë mundësi ekipeve të ndërhynin pas incidentit të rëndë.

Top Channel