E shtunë, 7 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tirana si “arenë” lufte me fishekzjarrë, molotovë e gaz lotsjellës
Lajme

Tirana si “arenë” lufte me fishekzjarrë, molotovë e gaz lotsjellës

Situata në protestën e zhvilluar në Tiranë është përshkallëzuar, pasi disa protestues kanë hedhur molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të forcave të policisë. Përballë incidenteve të njëpasnjëshme, autoritetet kanë shtuar ndjeshëm praninë e efektivëve në terren, duke angazhuar edhe njësi të specializuara.

Pas hedhjes së molotovit, në zonën ku janë përqendruar protestuesit janë dislokuar efektivë të njësisë “Shqiponja”, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), si dhe punonjës policie të ardhur nga komisariate të ndryshme. Në bulevard kanë mbërritur gjithashtu furgonë me forca shtesë, në një përpjekje për të mbajtur situatën nën kontroll.

Protestuesit janë zhvendosur në afërsi të ministrisë, ndërsa përplasjet dhe tensionet me uniformat blu kanë vijuar përgjatë tubimit.

Incidentet nuk janë të izoluara. Më herët, pranë ish-Hotel Dajtit, protestuesit hodhën fishekzjarrë në drejtim të autobotëve ujëhedhës të policisë. Për të frenuar situatën, efektivët ndërhynë me ujë me presion, duke tentuar të shpërndajnë turmën.

Tensionet kishin nisur edhe më herët përpara Ministrisë së Arsimit, ku një grup protestuesish hodhën gurë dhe tulla në drejtim të policëve. Gjatë të njëjtave momente, dy kosha mbeturinash u përfshinë nga flakët, duke shtuar më tej kaosin në zonë.

Përballë zhvillimeve, policia përdori autobotët me ujë me presion dhe spraj lotsjellës për të përballuar situatën dhe për të larguar protestuesit nga zonat e përplasjes.

Ndërkohë, prania e forcave të rendit vijon të shtohet, ndërsa situata në bulevard mbetet e tensionuar. Hedhja e molotovëve dhe mjeteve piroteknike ka shënuar një tjetër përshkallëzim të protestës, e cila tashmë po shoqërohet me incidente të përsëritura mes protestuesve dhe policisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.