Qindra qytetarë kanë marshuar sërish në Prishtinë kundër vrasjes së grave dhe dhunës në familje, duke kërkuar që femicidi të shpallet urgjencë kombëtare dhe institucionet përgjegjëse të mbajnë përgjegjësi për rastin e Arlinda Zekajt.
Protesta e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist nisi nga katedralja “Nënë Tereza” dhe vijoi drejt institucioneve të vendit. Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje për drejtësi për gratë e vrara dhe kundër neglizhencës institucionale, ndërsa u lexuan edhe letrat që Arlinda Zekaj u kishte dërguar institucioneve të drejtësisë para se të vritej.
Një prej mesazheve që ka marrë vëmendje të veçantë është fjalia e shkruar nga vetë Arlinda në një prej letrave drejtuar gjyqtarit Migjen Kastrati: “Për ju është rutinë, për mua është jetë dhe veç Zoti e di pse ty të ka zgjedhë të shpëtosh jetë”.
Në letrat e saj, ajo kishte kërkuar ndërhyrjen e institucioneve dhe mbrojtje, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik. Megjithatë, kërkesat nuk arritën të parandalonin tragjedinë.
Protestuesit kanë kërkuar shkarkimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve që, sipas organizatorëve, kanë dështuar në trajtimin e rastit, përfshirë përfaqësues të policisë, prokurorisë, gjykatës dhe Qendrës për Punë Sociale.
Gjithashtu, kërkohet shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe dorëheqja e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Përtej përgjegjësive për rastin konkret, organizatorët kërkojnë shpalljen e femicidit si urgjencë kombëtare, sigurimin e banimit social për gratë që i mbijetojnë dhunës në familje, një proces të pavarur dhe apolitik të vetingut në sistemin e drejtësisë, si dhe legalizimin e sprejit vetëmbrojtës për gratë.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Vrasja e saj shkaktoi reagime të forta publike, pasi u bë e ditur se ajo u ishte drejtuar më herët institucioneve për ndihmë dhe kishte kërkuar mbrojtje.
Marshimet dhe protestat e njëpasnjëshme kanë vënë në qendër të debatit jo vetëm dhunën ndaj grave, por edhe përgjegjësinë e institucioneve për të reaguar në kohë ndaj denoncimeve dhe për të parandaluar raste të tilla.

