Bulevardi boshatiset me forcë, policia nis me shpejtësi shoqërimet
Ndërhyrja e forcave të policisë ka sjellë shpërndarjen e protestuesve nga bulevardi kryesor i kryeqytetit, pas tensioneve dhe përplasjeve të regjistruara gjatë tubimit. Efektivët kanë avancuar në drejtim të turmës, duke përdorur autobotët me ujë me presion për të larguar pjesëmarrësit dhe për të marrë nën kontroll zonën.
Pas ndërhyrjes, protestuesit janë tërhequr në rrugët dhe hapësirat përreth, ndërsa bulevardi është boshatisur. Paralelisht me operacionin për shpërndarjen e turmës, policia ka nisur edhe shoqërimet e para të personave të përfshirë në protestë.
Sipas informacioneve nga terreni, një protestues është personi i parë i shoqëruar nga efektivët, ndërsa prania e forcave të rendit është shtuar ndjeshëm në disa prej akseve të kryeqytetit.
Në operacion janë angazhuar efektivë të njësisë speciale “Shqiponja”, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), si dhe struktura të tjera të Policisë së Shtetit. Forcat policore janë shpërndarë në disa zona, duke ndjekur lëvizjet e grupeve të protestuesve që u larguan nga bulevardi.
Ndërkohë, efektivët vijojnë të mbajnë nën kontroll zonën ku u zhvillua tubimi, ndërsa kontrollet dhe shoqërimet po vijojnë edhe në rrugët përreth.
Pas një proteste të shoqëruar me tensione, hedhje molotovësh, fishekzjarrësh dhe përplasje me policinë, ndërhyrja e forcave të rendit ka shënuar fundin e grumbullimit në bulevard, ndërsa situata në kryeqytet mbetet nën monitorimin e autoriteteve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



