Ditën e sotme mediumi Kapitali.al ka botuar një artikull për një kontratë lobimi në SHBA të biznesmenit Besnik Sulaj. Lajmi ngrinte dyshime për kontratën e lobimit e cila ishte në një vlerë të lartë nga biznesmeni i njohur edhe për lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama.
Biznesmeni shqiptar është denoncuar shpesh, publikisht për lidhjet me Ramën dhe kontrata ngriti menjëherë dyshime për lobim për llogari të Partisë Socialiste dhe kryeministrit shqiptar në qeverinë amerikane.
Bëhet fjalë për kompaninë Balkan Energy DMCC, e cila ka paguar sipas dokumentave nga Lobbying Disclosure Act pagoi plot 1.7 milionë dollarë vitin e kaluar tek Ballard Partners për lobim në Shtetet e Bashkuara.
Fondet e lobimit janë paguar përmes Dubait, por ligjet e lobimit në SHBA kanë diktuar zbulimin e zotëruesve fundor të kompanisë Balkan Energy DMCC. Ajo është kompania Balkan Energy sha e regjistruar në Tiranë.
Pas kësaj kompanie qëndron familja e biznesmenit të njohur shqiptar Besnik Sulaj, i identifikuar gjerësisht në publik si "Beso i Tajvanit". Dokumentet zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) konfirmojnë se pronari i vetëm me 100% të aksioneve të kësaj shoqërie është vëllai i tij, Skënder Sulaj.
Por biznesmeni Besnik Sulaj reagoi duke deklaruar se kompania e tij nuk ka paguar 1.7 milionë dollarë, por një shumë disa herë më të ulët dhe se lobimi nuk ka lidhje me Shqipërinë, por ka qenë për krijimin e kontakteve në tregjet e Azisë ku kompania e tij ka aktivitet.
Kompania publikoi kontratën, sipas të cilës rezulton se shërbimet e lobimit nga Ballard janë kontraktuar për tregun e Libisë.
Balkan Energy operon në sektorin energjetik në Libi, Siri dhe Kurdistan. Kompania bashkëpunon me HKN Energy, kompani amerikane në pronësi të Ross Perot Jr. Kontrata me Ballard Partners është lidhur për prezantime, krijimin e kontakteve dhe aktivitete lobimi në Lindjen e Mesme. Kjo kontratë lidhet ekskluzivisht me aktivitetet dhe projektet energjetike në Lindjen e Mesme dhe nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë," reagoi kompania përmes një deklarate zyrtare.
Madje Balkan Energy shtoi se ajo e ka prishur në mënyrë të njëanshme kontratën pa e ezauruar atë për shkak se Ballard nuk i ka ofruar shërbimet sipas pritshmërive.