Avokati Plarent Ndreca, nga Spitali Memorial i Fierit, ka deklaruar se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale urgjente në këmbë.
Sipas Ndrecës, një mjek turk ka vlerësuar gjendjen e këmbës dhe ka konstatuar se plaga nuk është pastruar. Avokati tha se kishte shkuar në spital për të marrë dokumentacionin mjekësor, me qëllim konsultimin me specialistët në Tiranë, por nuk kishte mundur të kontaktonte asnjë punonjës.
Ndreca e cilësoi situatën skandaloze, duke akuzuar autoritetet e burgjeve për neglizhencë dhe mosveprim.
“Kam ardhur për të marrë informacionin që më është thënë nga pacienti im sot, që një doktor i huaj turk ka bërë një vlerësim të këmbës Erionit dhe ka konstatuar që këmba nuk është pastruar dhe për rrjedjojë nuk është ngjitur dhe kërkohet një ndërhyrje kirurgjikale urgjente për këtë situatë të këmbës së tij.
Kam ardhur për të marrë informacionin dhe për të marrë dokumentacionin në mënyrë që të konsultohem me doktorët specialistë në Tiranë.
Por akoma s’kam kontaktuar dot njeri, sepse dhe këtu tek recepcioni nuk ka asnjë punonjës. Situata është urgjente. I kam shkruar një email edhe drejtorisë së përgjithshme të Burgjeve dhe drejtorittë IEVP-së në Fier, po pres.
Është një situatë skandaloze, sepse vjen si pasojë e neglizhencës dhe mosveprimit të autoriteteve të burgjeve, sepse ne kemi një muaj që kërkojmë që kur Erioni ishte në Durrës, kërkojmë që të ekzaminohet, kontrollohet.”