Ish-ylli i NBA-së, Lamar Odom, pritet të përfitojë më shumë se 180 mijë euro nga profili i tij i ri në platformën OnlyFans. Ish-basketbollisti i Los Angeles Lakers ka arritur të fitojë mbi 45 mijë euro vetëm gjatë tetë ditëve të para, ka bërë të ditur një burim për TMZ.

Abonimi mujor për të pasur qasje në fotografitë dhe videot ekskluzive të tij kushton rreth 13.45 euro.


Odom e hapi profilin në OnlyFans muajin e kaluar, duke u bërë, sipas raportimeve të mediave, ish-ylli i parë i NBA-së që i bashkohet kësaj platforme.

Vendimin për t'iu bashkuar OnlyFans-it ai e shpjegoi duke thënë se mendon që ky është momenti i duhur për një hap të tillë. Ish-basketbollisti pranoi se gjatë jetës ka kaluar nëpër periudha të vështira dhe mjaft të trazuara, por paralajmëroi se ka përgatitur edhe disa surpriza të tjera për ndjekësit e tij.

Ish-basketbollisti i Los Angeles Clippers ka paralajmëruar se profili i tij do të përmbajë materiale të ndryshme, përfshirë edhe përmbajtje që fansat e tij mund të mos e presin.

"Nuk dua të zbuloj ende shumë detaje. Do të duhet të abonoheni për ta kuptuar. Dua vetëm ta dini se jam i sinqertë dhe se të gjitha mundësitë janë të hapura", është shprehur ai.

Odom shtoi se gjatë jetës ka marrë shpesh vendime të paparashikueshme dhe se ende është në gjendje ta befasojë publikun.

"Kam qenë gjithmonë si një libër i hapur, por ka kapituj që njerëzit ende nuk i kanë parë", deklaroi ai.

Profil në OnlyFans ka hapur edhe e dashura e tij, Rachel Bradley. Një burim i afërt me çiftin ka bërë të ditur për TMZ se ekziston mundësia që në të ardhmen ata të publikojnë përmbajtje së bashku.

Odom e konfirmoi publikisht lidhjen me Rachel Bradley në prill, kur publikoi në Instagram një video ku shfaqeshin duke hyrë së bashku në Crypto.com Arena në Los Angeles. Disa ditë më herët, ata kishin ndarë edhe një fotografi të përbashkët me aktorin Terry Crews dhe bashkëshorten e tij, Rebecca King Crews.

Para lidhjes me Bradley, Odom kishte qenë për shumë vite në një marrëdhënie me Liza Morales, me të cilën ka dy fëmijë: vajzën Destiny, 28 vjeçe, dhe djalin LJ, 24 vjeç.

Ai është i njohur për publikun edhe për martesën me yllin e reality show-ve, Khloé Kardashian. Çifti u martua në vitin 2009, por marrëdhënia e tyre kaloi në krizë dhe në vitin 2013 vendosën të ndaheshin. Divorci i tyre u finalizua zyrtarisht në vitin 2016. /Telegrafi/