Mauro Icardi e dëshiron me forcë të luajë sërish kampionatin italian të futbollit dhe merkatoja e janarit mund t’ia mundësojë një kthim të mundshëm. Kjo është ajo që publikon portali argjentinas TyC Sports, sipas të cilit në këtë moment Juventusi është opsioni më konkret për të ardhmen e 33 vjeçarit që aktualisht është një lojtar i lirë pas mbylljes së kontratës me Galatasaray.

Interi dhe refuzimi i Marottës

Përpara se të vlerësonte opsione të tjera, prioritet i sulmuesit argjentinas ishte Interi. Në fakt, Icardi i është vetëofruar disa herë klubit zikaltër duke shfaqur edhe gatishmërinë për të pranuar reduktimin e ndjeshëm të pagës së tij e madje duke pranuar të jetë edhe zgjedhja e pestë në hierarkitë e Chivut. Por Interi ia mbylli dyert, gjë që u konfirmua në mënyrë kategorike nga presidenti Beppe Marotta përpara ndeshjes me Feyenoordin në mesjavë. ‘Është një konsideratë e këndshme e një futbollisti që i ka dhënë shumë Interit, por që të jem i sinqertë, ai nuk është në planet tona, ashtu sikurse edhe blerja e një sulmuesi tjetër-ishin fjalët e Marottës.

Pista Juventus dhe faktori Spalletti

Pas refuzimit përfundimtar nga klubi milanez, për stafin e sulmuesit u hap pista torineze. Në bazë të këtij pëlqimi reciprok mes futbollistit dhe Zonjës së Vjetër është sidomos prania e Luciano Spallettit në pankinë. Trajneri toskan ia rriti vlerën Icardit kur ishin te Interi dhe aktualisht është në kërkim të një qendërsulmuesi për të forcuar repartin ofensiv ku as Kolo Muani dhe as Ëoltemade nuk po garantojnë rendiment të kënaqshëm e konstant. I vendosur për t’u bërë sërish protagonist në Itali, Icardi është gati të pranojë një reduktim shumë të madh të pagës, ndërsa në krahun tjetër, Juventusi mund të mbështetet te soliditeti financiar pas rritjes së kapitalit me 250 milionë euro, një pjesë e të cilit është i destinuar për përforcime me lojtarë me eksperiencë në pjesën e dytë të sezonit. Ndjesia është që aksi Icardi-Juventus mund të ndizet në javët e para të janarit.

Top Channel