“Më kanë mbajtur peng në shtëpitë e barit”/ Britania e Madhe nuk bindet, rrëzohet ankesa e shqiptarit për ekstradimin

07/11/2026 19:43

Një 28-vjeçar shqiptar, i dënuar në Britaninë e Madhe për përfshirje në kultivimin e kanabisit, ka humbur betejën ligjore kundër ekstradimit në Shqipëri, pasi gjykata britanike rrëzoi pretendimin e tij se kishte qenë viktimë e trafikimit dhe ishte detyruar të punonte në ferma kanabisi.

Bëhet fjalë për Igli Hazizaj, i cili pretendonte se ishte mbajtur kundër vullnetit të tij në ambiente ku kultivohej kanabis dhe se kishte frikë të kthehej në Shqipëri për shkak të një borxhi që familja e tij i kishte një grupi kriminal.

Megjithatë, pretendimet e tij u rrëzuan pasi ish-partnerja i paraqiti autoriteteve fotografi nga rrjetet sociale, të cilat tregonin një tjetër histori të jetës së tij në Britani.

Sipas gazetës britanike Manchester Evening News të cilës i referohet Top Channel, fotografitë e publikuara tregonin Hazizajn duke i propozuar martesë partneres së tij në Mançester, duke marrë pjesë në një festë beqarie në Uells dhe në ceremoninë e diplomimit të saj në Swansea gjatë vitit 2024.

Në shkurt të vitit 2025, Hazizaj u dënua me dy vite burg pasi u shpall fajtor për komplot për prodhimin e kanabisit.

Gjatë procesit gjyqësor u bë e ditur se ai kishte qenë organizatori kryesor i një aktiviteti kriminal, ku tre banesa në qytet ishin përshtatur për kultivimin e kanabisit. Sipas hetimeve, aktiviteti kishte potencial për të gjeneruar më shumë se 2 milionë paund në vit.

Në dhjetor të vitit 2025, autoritetet britanike morën vendimin për largimin e tij në Shqipëri. Por Hazizaj e apeloi këtë vendim, duke pretenduar përpara një gjykate në Mançester se ishte trafikuar në Britani dhe detyruar të punonte në fermat e kanabisit, pasi babai i tij kishte marrë një borxh nga një grup kriminal në Shqipëri.

Ai deklaroi se në rast kthimi në vendlindje përballej me rrezikun real të dëmtimit të rëndë.

Ministria e Brendshme britanike kundërshtoi versionin e tij, duke evidentuar disa mospërputhje në dëshminë e paraqitur.

Mes provave të administruara ishin edhe të dhënat e udhëtimeve ajrore, të cilat tregonin se Hazizaj kishte udhëtuar drejt dhe nga Shqipëria në periudha kur pretendonte se mbahej peng.

Gjithashtu, fotografitë e siguruara nga ish-partnerja e tij tregonin se gjatë vitit 2024 ai kishte qenë tepër aktiv në Britani.

Një tjetër element i përmendur gjatë shqyrtimit të çështjes ishte dënimi me nëntë muaj burg, pasi Hazizaj ishte kapur duke tentuar të udhëtonte nga Tirana drejt Barcelonës me një pasaportë greke të falsifikuar, raporton Eveningn News Manchester.

Duke rrëzuar kërkesën për apelim, gjyqtari Chris Cole arriti në përfundimin se pretendimet e 28-vjeçarit nuk ishin të besueshme dhe se e kishte sajuar të gjithë historinë e tij.

“Konstatoj se ankuesi nuk ka arritur të provojë se rrëfimi i tij për ngjarjet ka gjasa të jetë i vërtetë. Nuk e pranoj si të besueshme që ankuesi të jetë trafikuar në Britaninë e Madhe dhe të jetë detyruar të punojë në fermat e kanabisit. Historia e udhëtimeve të tij, mundësia për të siguruar dokumente identiteti të falsifikuara dhe mënyra e jetesës në Britani tregojnë se ai nuk ka qenë viktimë e trafikimit”, deklaroi gjyqtari.

Sipas raportimit të medias britanike, Hazizaj nuk ishte paraqitur në seancën gjyqësore të 28 tetorit. Përpjekjet për ta lokalizuar përmes ish-partneres dhe studios ligjore që e kishte përfaqësuar më parë nuk kishin rezultuar të suksesshme.

Në kohën e zhvillimit të seancës, ai ishte gjithashtu në lirim me kusht në Britani, për shkak të akuzave të tjera, të cilat nuk janë bërë publike. Ai pritej të paraqitej më 14 nëntor përpara Gjykatës së Magjistraturës në Londrën Qendrore.

Top Channel