Mijëra qytetarë protestuan sërish këtë të shtunë në Tiranë, në ditën e 161-të të tubimeve. Paralajmërimet e qeverisë për gjoba të rënda ndaj atyre që përfshihen në akte dhune nuk i ndalën të dilnin në rrugë. Ata kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Studentët dhe qytetarët u mblodhën fillimisht para Ministrisë së Arsimit për të shprehur pakënaqësitë e tyre, më pas marshuan drejt Kryeministrisë. Gjatë marshimit dhe tubimit, ata hodhën thirrje si kundër Edi Ramës, ashtu edhe kundër kreut të opozitës, Sali Berisha.
Të lidhura
None found
Me kërkesën që të dy të largohen nga skena politike, protestuesit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj klasës aktuale politike dhe kërkuan ndryshimin e saj.
Edhe këtë të shtunë pati tensione dhe akte dhune. Disa kazanë mbeturinash u dogjën, ndërsa drejt policisë dhe institucioneve u hodhën sende të forta. Ngjarjet ndodhën pavarësisht paralajmërimeve për masa dhe gjoba të ashpra, të cilat nuk duket se e kanë zbehur revoltën e të rinjve dhe qytetarëve.
Tubimi i sotëm nuk pati ndryshime thelbësore nga protestat e ditëve të mëparshme. Studentët dhe qytetarët qëndruan në rrugë me të njëjtat kërkesa dhe thirrje politike, duke vijuar revoltën prej 161 ditësh.








