Gramshi ka tashmë një stadium të ri, një investim të rëndësishëm në infrastrukturën sportive, i realizuar falë bashkëpunimit mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë Gramsh.
Ceremonia e inaugurimit u zhvillua me praninë e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, dhe Kryetarit të Bashkisë Gramsh, Besion Ajazi, të cilët vlerësuan rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e futbollit dhe krijimin e më shumë mundësive për fëmijët dhe të rinjtë e qytetit.
Stadiumi i ri përfaqëson një vepër moderne sportive, që do t’u shërbejë ekipeve të Gramshit dhe grupmoshave të ndryshme, duke krijuar kushte më të mira për stërvitje dhe zhvillimin e aktiviteteve futbollistike.
Gjatë ceremonisë, Presidenti Duka u shpreh i kënaqur që ishte pjesë e inaugurimit të këtij projekti, duke falënderuar Bashkinë Gramsh dhe kompaninë që realizoi punimet. Ai theksoi se stadiumi është rezultat i një bashkëpunimi shumë të mirë mes FSHF-së dhe pushtetit vendor, si dhe një tjetër hap në zbatimin e strategjisë për t’u dhënë mundësi të barabarta fëmijëve që duan të luajnë futboll, kudo që jetojnë.
“Është vërtet kënaqësi për mua të jem pjesë e kësaj ceremonie inauguruese të këtij projekti madhështor për qytetin e Gramshit, i cili është realizuar si rezultat i një bashkëpunimi shumë të mirë mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë Gramsh. Me këtë rast doja të falënderoj kryetarin e Bashkisë dhe të gjithë Bashkinë e Gramshit, si dhe kompaninë që ka realizuar punimet cilësore në këtë projekt, në shërbim të futbollit të qytetit të Gramshit.
Ky projekt është vazhdim i strategjisë së Federatës Shqiptare të Futbollit, por i futbollit në përgjithësi, për të qenë pranë dhe për t’i dhënë mundësi të barabarta, kudo e kujtdo, për fëmijët që duan të luajnë futboll”, – u shpreh Presidenti Duka.
Gjithashtu, Presidenti i FSHF-së nënvizoi se ky qytet e meriton një infrastrukturë të tillë, si për fëmijët, ashtu edhe për tifozët e apasionuar pas futbollit.
“Vërtet ka pasur edhe ndonjë kritikë se pse ky investim në Gramsh. Ky investim në Gramsh sepse e meritojnë fëmijët e Gramshit, ky investim në Gramsh sepse e meritojnë tifozët e këtij qyteti, të cilët e duan futbollin dhe janë të apasionuar pas tij”, theksoi Duka.
Në fjalën e tij, ai falënderoi gjithashtu trajnerët e qytetit dhe zonës së Gramshit për punën dhe sakrificat e bëra ndër vite, si dhe prindërit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj fëmijëve.
“Uroj që kjo fushë të mbushet plot me zërat dhe ëndrrat e fëmijëve që duan të luajnë futboll. Pa dashur që të zgjatem, dua të falënderoj trajnerët e qytetit dhe të zonës së Gramshit për sakrificat që kanë bërë deri më sot dhe t’i uroj për fushën e re, që do të kenë kushte edhe më të mira për të punuar”.
“Uniforma Ime”, mbështetje konkrete për fëmijët e futbollit
Inaugurimi i stadiumit të ri u shoqërua edhe me nisjen e edicionit të ri të projektit të FSHF-së “Uniforma Ime”, përmes të cilit fëmijët që aktivizohen në shoqatat dhe akademitë e Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan do të pajisen falas me uniforma dhe bazë materiale sportive.
Ky projekt është një tjetër investim i rëndësishëm i Federatës Shqiptare të Futbollit në mbështetje të futbollit të fëmijëve, duke synuar krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin e tyre dhe lehtësimin e barrës financiare për familjet. Shpërndarja e uniformave dhe pajisjeve sportive do të ndihmojë që fëmijët të përqendrohen te stërvitja, loja dhe ndjekja e ëndrrave të tyre sportive.
Presidenti Duka e vuri theksin te lidhja mes investimit në infrastrukturë dhe projektit “Uniforma Ime”, duke theksuar se të dyja nismat kanë të njëjtin qëllim: t’u japin fëmijëve mundësi të barabarta për të luajtur futboll, pavarësisht vendit ku kanë lindur apo jetojnë.
“Në kuadër të kësaj strategjie të Federatës së Futbollit ishte edhe shpërndarja falas e uniformave të projektit ‘Uniforma Ime’, në mënyrë që fëmijët e Gramshit, me këtë infrastrukturë dhe këto uniforma, të ndjekin ëndrrat e tyre njësoj si çdo fëmijë tjetër, pavarësisht vendit ku kanë lindur”, tha Presidenti i FSHF-së.
“Dua të falënderoj shumë prindërit, të cilët kanë sakrifikuar shumë. Uroj që edhe ne t’u kemi ardhur në ndihmë, nëpërmjet projektit ‘Uniforma Ime’, për t’i bërë së bashku ëndrrat e fëmijëve realitet. Ta gëzoni stadiumin! Uroj të kemi sa më shumë fëmijë që luajnë futboll dhe sa më shumë rezultate pozitive për ekipin e Gramshit”, u shpreh kreu i qeverisë së futbollit.
