Kryedemokrati, Sali Berisha, ka reaguar në lidhje me protestën e mbajtur pasditen e kësaj të shtune në TIranë.
Në një deklaratë pas protestës, Berisha u shpreh se mijëra studentë dhe qytetarë treguan sot guxim dhe vendosmëri, duke refuzuar aktet që, sipas tij, synonin të ndalonin revoltën studentore.
Ai i cilësoi dekretet e miratuara si diktatoriale, antikushtetuese dhe antiligjore, ndërsa ka deklaruar se sot protestuesit i dhanë përgjigjen e merituar Ramës.
“Do të përshëndes përzemërsisht dhe me mirënjohje të thellë ata mijëra e mijëra studentë dhe qytetarë që sot me guximin, trimërinë, vendosmërinë e tyre groposën në koshat e plehrave të Tiranës, dekretet diktatoriale të padrinos, me të cilat ai synonte asgjësimin e revoltës studentore.
Kisha bindjen më të madhe se qytetarët, se studentët dhe studentet, qytetarët e Tiranës do t’u jepnin përgjigjen më të merituar, shpërfilljen totale, hedhjen në kosh të plehrave akteve antikushtetuese, antiligjore, me të cilat Edi Rama mendonte se do mund të gjejë mburojë, mbrojtje, mendoi se do mund të ndalojë protestën.
Jam këtu për të deklaruar se asnjë akt ligjor që vjen në kundërshtim me Kushtetutën, asnjë kufizim i lirive të garantuara nga Kushtetuta dhe Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut, asnjë formë gjendje e jashtëzakonshme nuk do të respektohet kurrë nga Partia Demokratike.
Por, si të faktuara, këto përpjekje dështuan me turp sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës, pasi qytetarët, studentët u bashkuan në një dhe i dhanë përgjigjen më të merituar narkodiktatorit dhe regjimit të tij”,- tha Berisha.
Kujtojmë se gjatë protestës së sotme, studentët kanë përzënë nga tubimi deputetët e Partisë Demokratike. Ata nuk kanë pranuar praninë e përfaqësuesve demokratë, duke kërkuar që protesta të vijojë pa përfaqësi politike.












