Berisha u bën thirrje qytetarëve dhe opozitës të bashkohen në mbështetje të protestës studentore
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përshëndetur protestën e sotme zhvilluar nga studentët dhe qytetarët në Tiranë, duke e cilësuar atë si hedhjen në koshat e plehrave të akteve të miratuara nga qeveria si një përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndaluar revoltën studentore.
Gjatë konferencës së sotme për mediat, Berisha deklaroi se mijëra studentë dhe qytetarë refuzuan kufizimet e vendosura nga qeveria, të cilat ai i cilësoi si akte diktatoriale dhe antikushtetuese.
‘Do të përshëndes përzemërsisht dhe me mirënjohje të thellë ata mijëra e mijëra studentë dhe qytetarë që sot me guximin, trimërinë, vendosmërinë e tyre groposën në koshat e plehrave të Tiranës, dekretet diktatoriale të padrinos, me të cilat ai synonte asgjësimin e revoltës studentore’, u shpreh Berisha.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha theksoi se asnjë akt që bie ndesh me Kushtetutën dhe të drejtat e garantuara të qytetarëve nuk do të pranohet nga opozita. Ai deklaroi gjithashtu se PD ka kërkuar në Gjykatën Kushtetuese pezullimin e akteve të qeverisë.
‘Jam këtu për të deklaruar se asnjë akt ligjor që vjen në kundërshtim me Kushtetutën, asnjë kufizim i lirive të garantuara nga Kushtetuta dhe Karta Evropiane e të Drejtave të Njeriut, asnjë formë gjendje e jashtëzakonshme nuk do të respektohet kurrë nga Partia Demokratike’, deklaroi ai.
Lideri i opozitës, Sali Berisha kërkoi lirimin e menjëhershëm të studentëve dhe qytetarëve të ndaluar në komisariate, ndërsa paralajmëroi se protestuesit e gjobitur do të dëmshpërblehen. Sipas tij, gjobat do t’u kthehen me vlerë tre herë më të lartë, ndërsa paralajmëroi edhe përgjegjësi për zyrtarët që firmosin masat administrative.
Kryetari i PD-së Sali Berisha iu përgjigj edhe akuzave se Partia Demokratike po ndërhyn për të përçarë protestën studentore. Ai i hodhi poshtë këto pretendime, duke deklaruar se PD e ka mbështetur lëvizjen dhe u ka ofruar ndihmë protestuesve.
‘Zyra ligjore, sekretariati ligjor i Partisë Demokratike ju ka ofruar shërbime mbi 600 protestuesve, studentë dhe qytetarë që kanë patur nevojë për shërbime ligjore’.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ftoi qytetarët dhe faktorët e tjerë opozitarë t’i bashkohen studentëve, duke e cilësuar protestën si një betejë kundër qeverisë së Edi Ramës.
‘Të bashkohemi me studentët të cilët po zhvillojnë një betejë epike kundër të keqes më të madhe të këtij kombi që e ka emrin Edi Rama’, deklaroi Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




