Eksperti i lëvizjes dhe muskujve, dr. Dorian Meta, ka folur për keqkuptimet që lidhen me zhvillimin e masës muskulare dhe dëshirën për të pasur një trup estetik, duke theksuar se shumë njerëz nuk e kuptojnë se çfarë ndodh realisht me muskujt gjatë stërvitjes.
I ftuar në podcastin “Shëndetplot” të Radar Media, në një bisedë me dr. Albana Dakaj Priftaj, Meta u ndal te ajo që e cilësoi si “urinë për estetikë”, duke e lidhur atë me mungesën e njohurive mbi funksionimin e organizmit.
“Uria vjen gjithmonë nga padituria. Ecën bashkë me njëra-tjetrën. Kurrë nuk duhet të harrojmë që nëse ne shkojmë dhe përmirësojmë elementin e masës muskulare, është injorancë. Nuk rrisim muskujt, muskujt fryhen me ujë, zbukurohen, mirë funksionojnë”, u shpreh eksperti.
Sipas tij, ndryshimi në pamjen e muskujve nuk lidhet domosdoshmërisht me shtimin e numrit të fibrave muskulore, por me rritjen e përmasave të tyre. Kjo bën që muskujt të duken më të zhvilluar dhe trupi të shfaqë ndryshime edhe në peshë.
Meta shpjegoi se gjatë procesit të stërvitjes dhe rinovimit të fibrave muskulore, ato mund të kenë përmasa më të mëdha dhe të përmbajnë më shumë ujë, çka ndikon në peshën trupore.
Ai u ndal edhe te fenomeni i humbjes së rezultateve pas ndërprerjes së aktivitetit fizik, duke e lidhur atë me faktin se muskujt humbasin një pjesë të vëllimit të fituar gjatë periudhës së stërvitjes.
“Pra, duken më të fryrë jo se janë rritur në numër, por sepse fibrat kanë rritur dimensionin e tyre. Nëse rrisim në peshë, nuk rrisim se kemi rritur muskuj, por organizmi, duke qenë se fibrat janë ndërruar më shpesh dhe janë më të reja, janë më të mëdha, kanë më shumë ujë dhe ne peshojmë më shumë. Arsye për të cilën lëmë palestrën, thahemi dhe na bien muskujt që kishim krijuar”, deklaroi Meta.

