Reperi shqiptar Rigels Rajku, i njohur me emrin artistik Noizy, bëhet pjesë e një produksioni ndërkombëtar kinematografik. Filmi “Blood Money”, ku interpretojnë emra të njohur të kinematografisë shqiptare dhe asaj të huaj, do të nisë shfaqjen në kinematë e Zvicrës më 12 nëntor.
Noizy interpreton personazhin e Arionit, ndërsa në kastin e filmit janë edhe aktorët Blerim Destani, Ndriçim Xhepa, Kaona Sylejmani, Xhejn Fama dhe aktori gjerman Moritz Bleibtreu. Pjesë e produksionit janë gjithashtu Ola Harizaj, Sunaj Raca, Kastriot Caushi, Elidon Aliko, Kastriot Shehi, Ilirda Bejleri, Ervin Bejleri, Kida Khodr Ramadan, Welsch Achim, Veysel Gelin, Islam Dulatov dhe Nelson Hysa.
Një histori e vendosur në botën e luftimeve ilegale
Ngjarjet e filmit zhvillohen në Durrës, ku një arenë e paligjshme luftimesh, e njohur si “The Circle”, shndërrohet në qendër të një rrjeti ku përfshihen bixhozxhinj, kriminelë dhe politikanë të korruptuar. Në këtë botë, ku dhuna kthehet në spektakël dhe paratë përcaktojnë gjithçka, ndërthuren fatet e dy personazheve që luftojnë për të ardhmen dhe lirinë e tyre.
Arioni, një ish-i burgosur dhe luftëtar i fuqishëm, përfshihet në një kompeticion ndërkombëtar të luftimeve pa doreza. Ndërkohë, Iliri, menaxheri i tij, përballet me borxhe dhe baste, duke shpresuar se suksesi i luftëtarit do t’i japë mundësinë të ndryshojë jetën e tij.
Por rrugëtimi i tyre ndërlikohet nga një rrjet i rrezikshëm bastesh ilegale, tradhti dhe marrëveshje që vënë në pikëpyetje besnikërinë mes tyre.
Një ofertë prej 100 mijë eurosh vë në provë miqësinë
Ndërsa Arioni përparon në garë, marrëdhënia e tij me Ilirin vihet gjithnjë e më shumë në provë. Një ofertë prej 100 mijë eurosh, së bashku me mundësinë për të marrë një pasaportë të re dhe për të nisur një jetë nga e para, e vendos luftëtarin përballë një zgjedhjeje të vështirë: të sigurojë lirinë e tij apo të qëndrojë besnik ndaj mikut që e ka shoqëruar në këtë rrugëtim.
Përmes aksionit dhe dramës, “Blood Money” trajton tema si miqësia, tradhtia, besnikëria dhe lufta për dinjitet, në një histori ku çdo vendim ka një kosto.
Filmi do të dalë në ekranet e kinemave në Zvicër më 12 nëntor, duke sjellë një kast të përbërë nga aktorë shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

