Të mëdhenjtë e Bosnjë-Hercegovinës: Rritje e moderuar ekonomike dhe sfida strukturore

Ekonomia e Bosnjë-Hercegovinës vijon të rritet me ritme të moderuara, e frenuar nga problemet strukturore, mungesa e fuqisë punëtore dhe investimet e dobëta. Në vitin 2025, rritja ekonomike u ngadalësua në 2.4%, ndërsa 100 kompanitë më të mëdha realizuan një xhiro prej 18.66 miliardë eurosh, sa 63.3% e PBB-së. Tregtia dhe energjia mbajnë peshën kryesore në ekonominë e vendit, me zinxhirin e supermarketeve Bingo që kryeson renditjen e kompanive më të mëdha sipas të ardhurave, fitimit dhe punësimit.
Nga Naida Kurdija*
Ekonomia e Bosnjë-Hercegovinës vijon të rritet me ritme të moderuara, ndërsa problemet strukturore po kufizojnë mundësitë e vendit për të ngushtuar hendekun me ekonomitë më të zhvilluara europiane.
Pas periudhës së tranzicionit që pasoi luftën e viteve 1992-1995, ekonomia u përball me një sërë goditjesh të jashtme, përfshirë krizën financiare globale, pandeminë COVID-19 dhe, së fundmi, pasojat e luftës në Ukrainë, veçanërisht përmes shtrenjtimit të energjisë dhe ushqimeve, si dhe presioneve inflacioniste.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Bosnjë-Hercegovinës, rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) u ngadalësua në 2.4% në vitin 2025, nga rreth 3.2% në vitin 2024.
Ndërkohë, PBB-ja me çmime korrente arriti në rreth 32.6 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2025, sipas të dhënave të Bankës Botërore.

Burimi: BHAS
Në vitin 2025, kontributin kryesor në rritjen ekonomike e dhanë tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor. Kontribut të rëndësishëm patën edhe administrata publike, arsimi, shëndetësia dhe taksat neto mbi produktet.

Burimi: Agjencia e Statistikave të Bosnjë-Hercegovinës (BHAS), Përllogaritje të Monitor
Ritmet relativisht të ulëta të rritjes pasqyrojnë probleme më të thella strukturore. Investimet e dobëta, ngadalësimi i prodhimit industrial, rënia e popullsisë dhe emigrimi i vazhdueshëm i personave në moshë pune janë ndër faktorët që kufizojnë potencialin afatgjatë të zhvillimit ekonomik.
Banka Botërore ka evidentuar gjithashtu mungesën e fuqisë punëtore në sektorë të caktuar, ndërkohë që papunësia mbetet e lartë dhe pjesëmarrja në tregun e punës vazhdon të jetë e ulët, veçanërisht te gratë, të rinjtë dhe personat në moshë më të madhe.
Struktura e ekonomisë mbështetet në një masë të madhe te shërbimet, tregtia dhe konsumi, ndërsa industria përpunuese dhe eksportet mbeten thelbësore për sigurimin e të ardhurave në valutë dhe krijimin e vendeve të punës.

Burimi: Eurostat
Dy entitetet e Bosnjë-Hercegovinës, Federata e Bosnjë-Hercegovinës dhe Republika Srpska, shfaqin struktura dhe dinamika ekonomike disi të ndryshme, duke bërë që ecuria e ekonomisë kombëtare të pasqyrojë një ndërthurje të prirjeve të ndryshme rajonale.
Për bizneset, mjedisi ekonomik paraqet njëkohësisht mundësi dhe kufizime. Rritja e pagave dhe mungesa e fuqisë punëtore po shtojnë presionin mbi punëdhënësit, por po i nxisin ata edhe të investojnë në produktivitet, teknologji dhe modele të reja biznesi.
Kompanitë e orientuara drejt eksporteve, me veprimtari eficiente dhe aftësi për të tërhequr e për të mbajtur punonjës të kualifikuar, kanë rëndësi të veçantë për perspektivën ekonomike të vendit.
Ekspertët paralajmërojnë se, në afat të gjatë, sfida e Bosnjë-Hercegovinës nuk është thjesht arritja e normave më të larta vjetore të rritjes së PBB-së, por krijimi i kushteve për një zhvillim më të qëndrueshëm, të mbështetur te produktiviteti.
Rritja e investimeve, zgjerimi i industrisë përpunuese drejt produkteve me vlerë më të lartë të shtuar, digjitalizimi, shfrytëzimi më i mirë i fuqisë punëtore dhe integrimi më i ngushtë me tregjet europiane do të jenë vendimtare për ta shndërruar rritjen e moderuar ekonomike në një përmirësim më të shpejtë të standardit të jetesës.
Ecuria e kompanive në Bosnjë-Hercegovinë
Të dhënat mbi të ardhurat dhe fitimet e kompanive në Bosnjë-Hercegovinë tregojnë se tregtia, industria përpunuese, energjia dhe sektorë të tjerë me rëndësi strategjike mbajnë peshën kryesore në ekonomi.
Në të njëjtën kohë, struktura e kompanive më të suksesshme tregon se përfitueshmëria nuk përcaktohet vetëm nga madhësia e xhiros, por edhe nga produktiviteti, orientimi drejt eksporteve, modeli i biznesit dhe eficienca e aktivitetit.
Ekonomia ka një bazë relativisht të larmishme, por ndikimi ekonomik mbetet i përqendruar te kompanitë më të mëdha dhe disa sektorë kryesorë.
Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, 100 kompanitë më të mëdha në Bosnjë-Hercegovinë realizuan 18.66 miliardë euro të ardhura në vitin 2025, një shumë e barasvlershme me rreth 63.3% të PBB-së së vendit.
Vetëm dhjetë kompanitë më të mëdha gjeneruan së bashku 6.02 miliardë euro të ardhura, ose rreth 20.4% të PBB-së.
Zinxhirët e supermarketeve dominojnë mes kompanive më të mëdha
Analiza e kompanive më të mëdha sipas numrit të punonjësve, të ardhurave dhe fitimit neto jep një panoramë të strukturës dhe fuqisë së ekonomisë vendase, duke treguar njëkohësisht se cilat kompani dhe sektorë kanë peshën më të madhe ekonomike.
Tri nga dhjetë kompanitë më të mëdha në Bosnjë-Hercegovinë operojnë në sektorin e tregtisë me pakicë, duke dëshmuar rëndësinë e këtij aktiviteti në ekonominë e vendit. Pesha e sektorit është veçanërisht e dukshme në punësim, ku zinxhirët e mëdhenj të supermarketeve renditen ndër punëdhënësit kryesorë.
Bingo, zinxhiri më i madh i tregtisë me pakicë në Bosnjë-Hercegovinë, ka konfirmuar pozicionin e tij dominues në treg, duke u renditur i pari në të tria kategoritë e analizuara.
Në vitin 2025, kompania kishte 8,370 punonjës, realizoi të ardhura prej 2.30 miliardë markash konvertibile (1.18 miliardë euro) dhe regjistroi fitim neto prej 128.62 milionë markash konvertibile (65.76 milionë euro).
Për krahasim, edhe dy zinxhirë të tjerë të mëdhenj të tregtisë me pakicë renditen ndër 20 punëdhënësit më të mëdhenj: Konzum, me afro 3,100 punonjës, dhe FIS Vitez, me 1,700 punonjës.
Prania e lartë e kompanive të tregtisë me pakicë ndër bizneset më të mëdha pasqyron edhe kontributin e rëndësishëm të sektorit në aktivitetin ekonomik.
Rrjetet e gjera të dyqaneve, kërkesa për produkte konsumi dhe sistemet e zhvilluara të shpërndarjes u mundësojnë këtyre kompanive të gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme dhe të punësojnë mijëra njerëz. Pozicioni i tyre tregon peshën që konsumi i brendshëm dhe tregtia kanë në ekonominë e Bosnjë-Hercegovinës.
Megjithatë, dominimi i sektorit privat të tregtisë nuk shtrihet njësoj në të gjithë treguesit e punësimit. Në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës (FBiH), institucionet publike dhe kompanitë shtetërore mbeten ndër punëdhënësit kryesorë, veçanërisht në shëndetësi, energji dhe infrastrukturë.
Pavarësisht kësaj, pozicioni i Bingo tregon se një kompani private me kapital vendas mund të konkurrojë me punëdhënësit më të mëdhenj të sektorit publik për nga numri i të punësuarve.
Shtatë nga dhjetë kompanitë më të mëdha në Bosnjë-Hercegovinë, sipas të ardhurave, ndodhen në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës.
Mbizotërimi i këtij entiteti në renditje lidhet edhe me peshën e tij ekonomike. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Bosnjë-Hercegovinës, Federata gjeneron rreth dy të tretat e PBB-së së vendit, ndërsa Republika Srpska përfaqëson afërsisht një të tretën.
Renditja tregon se energjia, telekomunikacioni dhe tregtia me pakicë mbeten ndër shtyllat kryesore të ekonomisë së Bosnjë-Hercegovinës.
10 kompanitë më të mëdha në Bosnjë-Hercegovinë sipas të ardhurave
- BINGO d.o.o. Tuzla
BINGO d.o.o. Tuzla është zinxhiri më i madh i supermarketeve dhe punëdhënësi më i madh privat në Bosnjë-Hercegovinë, me të ardhura prej 1.18 miliardë eurosh në vitin 2025.
E themeluar në vitin 1993, kompania është zgjeruar nga një dyqan i vetëm në Tuzla në një grup të madh biznesesh, të njohur si Bingo Group. Sot, ajo administron mbi 220 njësi tregtare në të gjithë vendin, përfshirë supermarkete, hipermarkete dhe qendra tregtare moderne.
Bingo renditet e para ndër kompanitë më të mëdha, me të ardhura prej 1.18 miliardë eurosh, në rritje me 5.8% krahasuar me vitin e mëparshëm. Kompania realizoi gjithashtu fitim neto prej 65.8 milionë eurosh dhe kishte 8,370 punonjës, numri më i lartë ndër shoqëritë e përfshira në renditje.
- JP Elektroprivreda BiH d.d. Sarajevo
JP Elektroprivreda BiH d.d. Sarajevo (EPBiH) është kompania më e madhe publike e energjisë elektrike në Bosnjë-Hercegovinë, me të ardhura prej rreth 763 milionë eurosh në vitin 2025.
E themeluar më 30 gusht 1945, kompania merret me prodhimin, shpërndarjen dhe furnizimin me energji elektrike, kryesisht në territorin e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës (FBiH). Ajo operon si shoqëri aksionere, ku 90.37% e kapitalit zotërohet nga qeveria e Federatës, ndërsa pjesa tjetër prej 9.63% u përket aksionerëve të pakicës.
Në vitin 2025, JP Elektroprivreda BiH realizoi të ardhura totale prej 762.6 milionë eurosh, duke konfirmuar peshën e saj të rëndësishme në sektorin energjetik të Bosnjë-Hercegovinës.
- HOLDINA d.o.o. Sarajevo
HOLDINA d.o.o. Sarajevo është një nga kompanitë kryesore të tregtimit dhe shpërndarjes me shumicë e pakicë të derivateve të naftës në Bosnjë-Hercegovinë, me të ardhura prej rreth 747 milionë eurosh në vitin 2025.
E themeluar më 21 mars 2000, kompania është pjesë e grupit kroat INA (INA – Industrija nafte d.d. Zagreb). Holdina vepron si importues ekskluziv dhe përfaqësues për tregtimin me shumicë të karburanteve të prodhuara në rafineritë e INA-s në Kroaci.
Në vitin 2025, kompania realizoi të ardhura prej 747.2 milionë eurosh dhe fitim neto 7.9 milionë euro, duke ruajtur një pozicion të rëndësishëm në tregun e karburanteve dhe produkteve të naftës në Bosnjë-Hercegovinë.
- MH ERS MP a.d. Trebinje
MH ERS MP a.d. Trebinje është shoqëria mëmë e Elektroprivreda Republike Srpske (ERS), grupit energjetik që është 100% në pronësi të Republikës Srpska.
Aktiviteti kryesor i kompanisë është furnizimi dhe tregtimi i energjisë elektrike, ndërsa grupi ERS përfshin edhe shoqëri që merren me prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë.
Në vitin 2025, MH ERS MP realizoi të ardhura prej 559.8 milionë eurosh. Si pjesë e sistemit energjetik të Republikës Srpska, kompania ka rol të rëndësishëm në furnizimin me energji dhe në ekonominë e vendit.
- OPTIMA Grupa d.o.o. Banja Luka
OPTIMA Grupa d.o.o. Banja Luka është kompani e sektorit të naftës në Republikën Srpska, që merret me blerjen e naftës bruto, përpunimin dhe prodhimin e derivateve, si dhe tregtimin me shumicë të karburanteve, vajrave dhe lubrifikantëve.
Kompania është pjesë e NESTRO Group dhe zotërohet plotësisht nga NeftegazInKor, shoqëri që është pjesë e kompanisë shtetërore ruse Zarubezhneft.
Në vitin 2025, OPTIMA Grupa realizoi të ardhura prej 559.2 milionë eurosh, duke u pozicionuar ndër operatorët më të mëdhenj të tregut të produkteve të naftës në Bosnjë-Hercegovinë dhe si një hallkë e rëndësishme e zinxhirit të furnizimit me karburante.
- HIFA-OIL d.o.o. Tešanj
HIFA-OIL d.o.o. Tešanj është kompania kryesore private e importit dhe shpërndarjes së naftës dhe derivateve të saj në Bosnjë-Hercegovinë, me të ardhura prej 523 milionë eurosh në vitin 2025.
E themeluar në vitin 2002 nga Izudin Ahmetlić, kompania është zgjeruar në një grup të diversifikuar biznesesh, të njohur si Hifa-Oil Group. Ajo kontrollon mbi 20% të tregut vendas të naftës me shumicë dhe konsiderohet ndër ndërmarrjet private më të suksesshme në vend.
Në vitin 2025, HIFA-OIL realizoi të ardhura prej 523.3 milionë eurosh dhe fitim neto 3.07 milionë euro, duke ruajtur një pozicion të rëndësishëm në tregtinë dhe shpërndarjen e derivateve të naftës.
- BOREAS d.o.o. Kreševo
BOREAS d.o.o. Kreševo është një nga kompanitë kryesore të shpërndarjes së mallrave të konsumit të përditshëm (FMCG) në Bosnjë-Hercegovinë, me të ardhura prej rreth 483 milionë eurosh në vitin 2025.
E themeluar në vitin 1993, kompania është pjesë e Stanić Group, një grup i madh rajonal që operon në tregtinë e pijeve, lëngjeve, duhanit dhe produkteve teknike. Boreas është importues ekskluziv dhe partner logjistik për disa marka të njohura ndërkombëtare të produkteve të konsumit.
Në vitin 2025, kompania realizoi të ardhura prej 483.5 milionë eurosh dhe fitim neto 3.27 milionë euro, duke u renditur ndër bizneset më të mëdha të vendit sipas xhiros.
- TROPIC MALOPRODAJA d.o.o. Banja Luka
TROPIC MALOPRODAJA d.o.o. Banja Luka është një zinxhir supermarketesh në Republikën Srpska, me aktivitet kryesor tregtinë me pakicë të produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit në dyqane jo të specializuara.
Kompania është zinxhiri më i madh vendas i tregtisë me pakicë në Republikën Srpska dhe operon përmes markave Tropic, mojMarket dhe Crvena jabuka.
Në vitin 2025, TROPIC MALOPRODAJA realizoi të ardhura prej 407.6 milionë eurosh dhe fitim neto 1.99 milionë euro, duke konfirmuar peshën e saj në tregtinë me pakicë dhe konsumin e brendshëm.
- HIFA-PETROL d.o.o. Sarajevo
HIFA-PETROL d.o.o. Sarajevo është një nga kompanitë private më të suksesshme të sektorit të karburanteve në Bosnjë-Hercegovinë.
E themeluar në vitin 2005, kompania është zgjeruar në një rrjet të rëndësishëm të tregtisë me shumicë dhe pakicë, me mbi 55 pika moderne karburanti në të gjithë vendin.
Ajo njihet për karburantet premium HPLUS, të zhvilluara në bashkëpunim me laboratorë të specializuar, me synim përmirësimin e performancës së motorëve dhe uljen e emetimeve.
Në vitin 2025, HIFA-PETROL realizoi të ardhura prej 400.1 milionë eurosh dhe fitim neto prej 4.83 milionë eurosh, duke ruajtur pozicionin e saj ndër operatorët kryesorë të tregut të karburanteve.
- Philip Morris BH d.o.o. Sarajevo
Philip Morris BH d.o.o. Sarajevo është një nga kompanitë kryesore të tregut të duhanit dhe produkteve me nikotinë në Bosnjë-Hercegovinë, me të ardhura prej rreth 393 milionë eurosh.
Kompania është pjesë e Philip Morris International (PMI), një prej grupeve më të mëdha të industrisë së duhanit në botë. Shoqëria me seli në Sarajevë administron importin, shpërndarjen, marketingun dhe shitjen e markave ndërkombëtare të grupit në tregun vendas.
Në vitin 2025, Philip Morris BH realizoi të ardhura prej 392.7 milionë eurosh dhe fitim neto 1.15 milionë euro, duke u renditur ndër dhjetë kompanitë më të mëdha të Bosnjë-Hercegovinës sipas të ardhurave.
Kliko këtu për t’u regjistruar falas për të lexuar specialen e plotë për renditjen e kompanive më të mëdha në Ballkan për vitin 2025:
Monitor Special Edition | Ranking the Largest Companies in the Western Balkans in 2025
*Naida Kurdija është gazetare me bazë në Sarajevë, Bosnjë-Hercegovinë, me përvojë në trajtimin e një game të gjerë temash, veçanërisht në gazetarinë narrative dhe investigative.

LEXONI EDHE:
Ekskluzive, VIP-at e Ballkanit Perëndimor; renditja e kompanive më të mëdha në rajon
Ekonomia shqiptare pa prodhim, e varur nga ndërtimi; Kontrasti me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë
50 kompanitë më të mëdha në Maqedoninë e Veriut; “Not” në ujëra të trazuara ekonomike
100 VIP sipas të ardhurave dhe fitimeve në Serbi; rritje e ngadaltë mes pasigurive politike
Renditja e 100 të mëdhenjve; Rritja e Malit të Zi fsheh dobësitë strukturore të ekonomisë
10 më të mëdhenjtë e Kosovës; Ekonomia, mes krizave institucionale dhe nevojës për rritje
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









