Një listë me 18 emra politikanësh, prokurorësh, drejtuesish policie, ekspertësh të sigurisë kibernetike dhe gazetarësh është publikuar në “dark web” nga grupi i hakerëve prorusë NoName057(16).

Dark Web është pjesa e fshehtë e internetit, që nuk gjendet përmes motorëve të zakonshëm të kërkimit si Google dhe ku zhvillohen edhe aktivitete të paligjshme

Hakerët jo vetëm kanë shpërndarë informacione personale për ta, por ofrojnë edhe para për këdo që siguron të dhëna të tjera, përfshirë adresat e banimit, numrat e telefonit dhe informacionet për familjarët.

Mes personave të shënjestruar janë katër italianë: ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri Antonio Tajani, kryeprokurori i Romës Francesco Lo Voi, drejtuesi i Policisë Postare Ivano Gabrielli dhe kryebashkiaku i Avianos, Paolo Tassan-Zanin.

Sipas gazetës italiane “Corriere della Sera”, emrat janë publikuar në një seksion të quajtur “Gjykata për ata që meritojnë një vendim publik”. Lista qarkullon prej disa javësh dhe përfshin edhe zyrtarë e ekspertë nga vende të tjera europiane.

“Kriminelët kibernetikë janë të gatshëm të paguajnë për informacione të tjera për mua dhe njerëzit e mi të dashur. Unë do të vazhdoj të mbroj Ukrainën, të punoj për paqen dhe që të mos përsëritet më ajo që ndodhi, kur një vend, Federata Ruse, pushtoi një tjetër për t'i imponuar vullnetin e vet”, deklaroi Tajani.

Ministri italian ka kërkuar që kjo çështje të jetë në qendër të diskutimeve të G7, në takimin që do të zhvillohet të hënën në Paris.

“Të mbrojmë demokracinë dhe lirinë dhe të mos lejojmë që lufta hibride të na gjunjëzojë”, u shpreh ai.

Kryeministrja Giorgia Meloni ka shprehur shqetësimin për publikimin dhe ofrimin për shitje të informacioneve konfidenciale të përfaqësuesve të institucioneve, duke kërkuar që fenomeni të trajtohet me vendosmëri.

Ndërkohë, ambasada ruse në Itali iu përgjigj me ironi deklaratave të Tajanit.

“Kemi dëgjuar se në dark web shiten drogëra. Prandaj qëndrojmë larg. Se si përfundoi Tajani aty, duhet të pyesni ata që frekuentojnë këto vende”, deklaroi ambasada.

Alarme për bomba në avionë dhe shkolla, autoritetet hetojnë lidhjet me Rusinë

Kërcënimet ndaj zyrtarëve vijnë në një kohë kur Italia është përballur edhe me një valë alarmesh për bomba në avionë dhe shkolla.

Rreth datës 20 tetor nisën të mbërrinin mesazhe elektronike që paralajmëronin për eksplozivë në dhjetëra shkolla italiane dhe në një avion të kompanisë Ryanair që udhëtonte nga Letonia drejt Romës.

“Vdekja është afër”, shkruhej në titullin e mesazheve, të cilat ishin dërguar nga një adresë e falsifikuar që paraqitej si e Ministrisë së Arsimit të Arabisë Saudite.

Pas dhjetëra rasteve të ditëve të mëparshme, të shtunën nuk u regjistrua asnjë kërcënim i ri për bomba në avionë.

Autoritetet po hetojnë për të zbuluar personat që qëndrojnë pas këtyre alarmeve dhe nëse ato janë pjesë e një veprimtarie të koordinuar.

Prokuroria e Parisit ka hapur një hetim për të verifikuar lidhje të mundshme të autorëve me “fuqi të huaja”.

Sipas “Financial Times”, shërbimet europiane të inteligjencës kanë nisur një hetim të përbashkët për të përcaktuar nëse vala e alarmeve të rreme për bomba lidhet me aktivistë pranë presidentit rus Vladimir Putin. Edhe Europol pritet të zhvillojë një takim për këtë çështje në ditët në vijim.

Sulm kibernetik edhe ndaj tunelit të Brennerit

Një tjetër rast që po hetohet është sulmi kibernetik ndaj kompanisë BBT SE, e cila administron ndërtimin e tunelit hekurudhor të Brennerit, mes Italisë dhe Austrisë.

Sulmi ka ndodhur më 17 tetor, por është bërë publik vetëm tani. Dyshimet e para janë për grupin rusishtfolës “Everest”, i njohur për vjedhjen e të dhënave të ndjeshme dhe kërkesat për para në këmbim të mospublikimit të tyre.

Kompania ka konfirmuar ndërhyrjen në sistemet informatike, por ka sqaruar se incidenti nuk ka ndikuar në aktivitetin e saj operacional.

Edhe platforma e paketave të dhuratave Smartbox ka konfirmuar se më 3 nëntor persona të paidentifikuar kanë hyrë në sistemet e saj dhe kanë marrë emra dhe adresa elektronike të klientëve. Sipas kompanisë, të dhënat e kartave të kreditit nuk janë prekur.

Në listën e hakerëve edhe kryebashkiaku i qytetit ku ndodhet baza amerikane

Një nga emrat që bie në sy në listën e hakerëve është Paolo Tassan-Zanin, kryebashkiaku i Avianos, qytet në provincën e Pordenones ku ndodhet një bazë ajrore amerikane, pjesë e strukturave ushtarake italiane dhe të NATO-s, ku gjenden edhe armë bërthamore.

“Jam i habitur që emri im është përfshirë në këtë listë, sepse jam thjesht kryebashkiaku i një qyteti që pret bazën amerikane, por nuk kam asnjë ndikim në atë që ndodh brenda saj”, deklaroi ai.

Ende nuk është e qartë nëse hakerët kërkojnë informacione për kryebashkiakun apo për instalimin ushtarak.

Në listë gjenden gjithashtu drejtues të institucioneve europiane të drejtësisë dhe sigurisë, hetues gjermanë, ekspertë francezë të sigurisë kibernetike dhe gazetarë që kanë raportuar për veprimtarinë e rrjeteve ruse.

Grupi NoName057(16) ka marrë më parë përgjegjësinë për sulme ndaj rrjeteve europiane të shpërndarjes së ushqimeve dhe për më shumë se 350 sulme ndaj faqeve të institucioneve dhe subjekteve private italiane.

Në korrik të vitit 2025, autoritetet europiane zhvilluan operacionin “Eastëood” kundër këtij grupi. Gjatë operacionit u çaktivizuan mbi 100 serverë, u arrestuan dy persona, u lëshuan shtatë urdhërarreste europiane dhe u kryen 24 kontrolle, pesë prej tyre në Itali.

Ndërkohë, presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, ka paralajmëruar se sulmet kibernetike po bëhen edhe më të rrezikshme me përdorimin e inteligjencës artificiale.